nga Shpëtim Axhami, kreu i PLL
Forcimi i sigurisë kombëtare një detyrim kushtetues dhe strategjik, vendi ynë duhet të shkoj drejt një sistemi të detyrueshëm ushtarak.
Siguria kombëtare është një nga detyrimet themelore të shtetit dhe një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. Pavarësisht anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vendi ynë duhet të ndërtojë dhe të mbajë një ushtri të fortë, të trajnuar profesionalisht, të pajisur me teknologji moderne dhe me infrastrukturën e nevojshme për të përballuar çdo kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.
Një ushtri moderne nuk mund të mbështetet vetëm te misionet civile apo te pajisjet teknologjike moderne kur edhe këto janë të pamjaftueshme. Forcat e Armatosura duhet të jenë të afta të përmbushin misionin e tyre kryesore, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kuadër, Partia Lëvizja e Legalitetit është pro investimit me armatim modern amerikan, por gjithashtu për PLL përveçse armatimit modern, në Shqipëri duhet të rikthehet sistemi i regjistrimit dhe vlerësimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë meshkujt që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Ky sistem duhet të i paraprijë rikthimit në prespektivë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak apo krijimit të një regjistri të përditësuar të qytetarëve të aftë për shërbim, përmes vlerësimeve mjekësore, fizike dhe administrative.
Situata e sigurisë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Lufta në Ukrainë, rritja e tensioneve gjeopolitike dhe sfidat ndaj sigurisë euroatlantike kanë bërë që disa vende evropiane të rishikojnë politikat e tyre të mbrojtjes.
Për Shqipërinë, një sistem i tillë do të sillte disa përfitime të rëndësishme:
-do të rriste gatishmërinë kombëtare për mobilizim në raste emergjencash.
-do të krijonte një bazë të saktë të rezervistëve të trajnuar.
-do të forconte kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s;
-do të rriste disiplinën, edukimin qytetar dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e vendit te të rinjtë.
Tek forcat e armatosura duket forca dhe serioziteti i shtetit e i kombit🇦🇱



