Avokati dhe kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Visha, ka ngritur akuza të forta publike ndaj institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke i akuzuar për korrupsion të strukturuar në proceset e transferimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Visha pretendon se gjyqtarë dhe prokurorë paguajnë nga 50 deri në 100 mijë euro për t’u transferuar në zona më të favorshme, kryesisht në Tiranë apo në qytete me ngarkesë më të ulët pune dhe më shumë përfitime ekonomike.
“Të lëvizësh nga një qytet në tjetrin bileta është e lirë. Edhe për të ardhur nga qytetet largëta në Tiranë nuk kushton.
Por ka ca tarifa që të lëvizësh në rrethe të mira apo të vish në Tiranë!!!
Këtu Stop. Kujdes. Mendohu. 50 deri 100 mijë euro, i paguhet jo autobusit, as taksisë, por KLP dhe KLGJ nga gjyqtarë e prokurorë për një transferim qofshin edhe të komanduar.
Dhe çudia vazhdon. Të gjithë të transferuarit kërkojnë të gjykojnë vetëm çështje penale se aty është leku, civile të vonon, familjarë s’të jep gjë…
Bravo KLGJ dhe KLP, i sollët gjyqtarët dhe prokurorët 27-vjeçarë, përkundrejt pagesave, të gjithë në Tiranë.
Mjerë populli që do paguajë transfertat e prokurorëve apo gjyqtarëve të rinj…”, shkruan Visha.