Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se shërbime të veçanta nga disa vende të huaja po financojnë dhe organizojnë protesta brenda Serbisë, me qëllim destabilizimin dhe shkatërrimin e shtetit.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç tha se janë shpenzuar rreth 4 miliardë dollarë për këtë qëllim, duke theksuar se “katër miliardë dollarë janë përdorur për të shkatërruar shtetin”.
Sipas tij, organizatori kryesor i protestave dhe revolucioneve me ngjyra është jashtë Serbisë, dhe ata janë punonjës të shërbimeve speciale të disa shteteve.
Ka agjentë të shërbimeve të ndryshme speciale dhe ata po punojnë për të destabilizuar Serbinë nga jashtë.
Ne dimë të paktën tre vende të përfshira në këtë, por për arsye strategjike, nuk mund ta them emrin e tyre. Ata e dinë që ne e dimë, dhe situata ka ndryshuar.
Presidenti serb gjithashtu ka pohuar se këto shërbime kanë krijuar rrjete të studentëve dhe të rinjve për të mbështetur këto protesta, duke theksuar se kjo është një përpjekje për të shkatërruar vlerat themelore të shoqërisë serbe.
Ai përmendi gjithashtu se media si N1 dhe Nova S po mbështesin këto protesta dhe se financimet e tyre janë një indikator i qartë për përfshirjen e faktorëve të jashtëm.
Vuçiç raportoi gjithashtu se më 5 shtator, gjatë protestave të zhvilluara në të gjithë vendin, morën pjesë 9,380 persona, nga të cilët më shumë se 7,000 vetëm në Novi Sad.
Ai theksoi se protestat në këtë qytet kanë shpërthyer me incidente të rënda, ku persona të maskuar tentuan të pushtonin Fakultetin e Filozofisë, por ndërhyrja e forcave të rendit parandaloi përshkallëzimin e situatës.
Këto deklarata vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku protestat janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit, shpesh me qëllim kritikimin e qeverisë dhe politikave të saj.