Tre persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Beratit pasi Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate me pesticide të eksportuara ng Shqipëria. Analizat treguan se domatet që u bllokuan më 27 gusht kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.
Në pranga është vënë pronari i subjektit eksportues “Era Fruit”, Mariglen Qorri 40-vjeç, si dhe dy inspektorë të AKU-së të Beratit, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, 27 dhe 25-vjeç.
Sipas Prokurorisë së Beratit, Qorri ka përdorur një faturë fiktive të lëshuar në emër të një fermeri, e cila më pas është përdorur për procedurat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të përpiluar nga AKU Berat, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për produktin që ka prodhuar dhe më pas treguar.
Dy inspektorët e AKU-së, pas marrjes së njoftimit nga sistemi RASFF, kryen më 29 gusht një inspektim në subjektin në fjalë, ku kanë marrë si të mirëqenë faturën fiktive të lëshuar nga pronari, duke ndryshuar faktet mbi origjinën e produktit dhe duke penguar hetimet. Për më tepër, inspektorët e sigurisë ushqimore kanë deklaruar se në magazinën e subjektit “Era Fruit” nuk kishte asnjë sasi domateje.
Pronari i subjektit është vënë nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’. Ndërsa ndaj dy inspektorëve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.
Sakaq, policia dhe prokuroria thonë se pasi u ushtrua kontroll në subjekt, janë sekuestruar perime të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca, si dhe janë marë mostrat pasi dyshohet se mund të jenë të kontaminuara.