Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë me titull “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, e cila ka nisur ditën e sotme.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se të gjitha trupat diplomatike të Shqipërisë, kudo që ndodhen në botë, duhet të fokusohen në një objektiv të vetëm historik: Integrimin e Shqipërisë në BE.
Sakaq, Rama kërkoi nga ambasadorët që të dhe regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare nëpër botë, madje i kritikoi që ende nuk e kemi një regjistër të tillë.
Sipas tij, është e papranueshme që një vend i vogël si i yni, të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre në vende të ndryshme të botës.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territoret e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit.”, tha Rama.



