Iluzioni i pavdekësisë së despotëve (Xi, Putini dhe Gilgameshi në mes)

spot_img
Advertisements

Nga Dashnor Kokonozi

Gjatë paradës ushtarake në Pekin, më 3 shtator 2025, një mikrofon i harruar i hapur zbuloi një bisedë të pazakontë mes Presidentit kinez Xi Jinping dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Përmbledhtas, biseda kishte të bënte me bioteknologjinë dhe rolin e transplanteve të organeve për të zgjatur jetën.
Dhe kjo ndodhte në mes të armëve më vdekjeprurëse të planetit, të ekspozuara me pompozitet në sy të botës, me synime krejtësisht të qarta politike.
Një ide e ChatGPT, që e paraqiste këtë bisedë si një akt të “të menduarit antonimik”, e kam parë të interpretuar në shumë diskutime dhe komente të gazetave të njohura. Por mendoj se nuk është thjesht kjo. I gjithë njerëzimi u ndodh përballë një metafore të rrallë, që meriton të shihet më thellë.
Despotët nuk besojnë në trashëgimi demokratike dhe ndjenë keqardhje e madje mllef që edhe ata jetojnê po aq sa të tjeret, me gjitha pushtetin që kanë. Ata nuk përgatitin pasardhës dhe jetëgjatësinë e veprës së tyre e shohin si ekzistencë të vetë jetës së tyre. Kjo është arsyeja që jetëgjatësia e tyre po aq sa edhe ajo e njrëzve të thejshtê, është e paparanueshme për ta. Biseda e tyre më kujtoi Gilgameshin, mbretin gjysmë hyjnor të Urukut, që kur u njoh me vdekjen e mikut të tij, Enkidun, ndjeu frikën nga vdekja dhe u vu në kërkim të pavdekësisë.
Dy despotët tanë nuk kishin dalë në sheshin e larë me gjak të Tiananmen për të recituar poemën e lashtë, por njëlloj si Gilgameshi, reflektonin për pavdekësinë. Edhe nëse e kanë lexuar (dhe jam i sigurt që po), ka një detaj që nuk përkon me rolin e tyre: ata flasin për një rend të ri botëror që po ndërtojnë, por e dinë fare mirë që ai rend nuk ekziston.
Fasada që ngrejnë do të rrënohet bashkë me vdekjen e tyre.
Pra, jetëgjatësia e politikës së tyre nuk ka asnjë gjasë t’i mbijetojë vdekjes së tyre fizike. Sepse për ta, vdekja nuk është thjesht fundi i jetës — është fundi i sistemit që kanë ndërtuar.

Prandaj, biseda e tyre për jetëgjatësi nëpërmjet teknologjive mjekësore, për mua, është një akt i munguar, ata mendojnë për jetëgjatësinë e tyre si një përpjekje për të shmangur kolapsin e një sistemi në të cilin nuk besojnë as vetë. Pa folur për analistët që emrave të tyre u shtojnë edhe atë të despotit koreano-verior, duke i quajtur të tre së bashku si Aksi i së Keqes.
Fatkeqësisht, ata nuk do të kenë asnjë shans të takojnë Utnapishtimin — që t’u tregojë se pavdekësia nuk është për njerëzit, por për veprat që lënë pas.
Dhe vepra e despotëve lë mjaft për të diskutuar!

Latest articles

Related articles