Belgjika do të njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, njoftoi ministri i Jashtëm Maxime Prévot.
“Palestina do të njihet nga Belgjika në sesionin e OKB-së! Dhe po vendosen sanksione të ashpra ndaj qeverisë izraelite,” shkroi Prévot të hënën në rrjetin X.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të zhvillohet nga 9 deri më 23 shtator në Nju Jork.
Franca njoftoi në korrik se do të njihte shtetin palestinez gjatë këtij takimi, me presidentin Emmanuel Macron që e cilësoi këtë hap si një rrugë drejt zgjidhjes me dy shtete.
Që prej asaj kohe, disa vende perëndimore kanë kërkuar që të ndiqet i njëjti shembull, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë.
Prévot theksoi se vendimi i Belgjikës është marrë “në dritën e tragjedisë humanitare” që po ndodh në Gaza, ku gati dy vite dhune izraelite kanë zhvendosur praktikisht gjithë popullsinë e enklavës dhe kanë krijuar kushte urie, sipas Kombeve të Bashkuara.