Pushimet verore po shkojnë drejt fundit dhe në shumë familje kanë nisur “ethet e përgatitjeve” për vitin e ri shkollor. Fëmijëve, tashmë do t’u duhet të përgatiten emocionalisht për vitin e ri shkollor, ndërsa prindërit përballen me një barrë jo të vogël financiare.
Sipas psikologes Renisa Beqiri, kjo është diçka normale. Ajo sqaron se rikthimi në një jetë me ritëm, orare dhe pritshmëri është shpesh një burim stresi për fëmijët.
“Ata do të kthehen në një jetë që kërkon një lloj rutine fikse, që kërkon një lloj angazhimi, që kërkon një performancë dhe kjo performancë do të fillojë dhe do të matet. Dhe rrjedhimisht kur kthehen fëmijët në shkollë kjo është një element që ata i mbush me ankth, i mbush me stres dhe është diçka e padëshiruar”, thekson psikologia.
Por si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të përgatiten emocionalisht për rikthimin në shkollë?
“Përgatitja duhet të fillojë që në dy javët e fundit të gushtit, fëmijëve t’u flitet për shkollën, t’u flitet t’ju bëhet një lloj përsëritje, një lloj vetëdijësimi në mënyrë të vazhdueshme që do të vijë shkolla dhe rutina e tyre do të fillojë të ndryshojë dhe në tre ditë përpara se sa fëmija të shkojë në shkollë është e rëndësishme që të fillohen dhe të rregullohen oraret e gjumit, mëngjesi, dreka si dhe aktivitetet sociale”, pohon Beqiri.
Sipas Beqirit, fëmijët e përjetojnë drejtpërdrejt edhe ankthin e vetë prindërve.
Qëllimet dhe pritshmëritë nga fëmijët duhet të jenë të arsyeshme, të përshtatura me aftësitë e fëmijëve.



