“Mos qaj për mua, mbaje kokën lart”: LETRA e fundit PREKËSE e gazetares së vrarë në Gaza, drejtuar djalit të saj 13-vjeçar

spot_img
Advertisements

Një letër e lënë në histori si një dëshmi dashurie si një testament i dëshpëruar shprese. Kështu, Mariam Abu Dagga, një gazetare e pavarur 33-vjeçare, ia besoi fjalët e saj të fundit djalit të saj trembëdhjetëvjeçar, Ghaith, përpara se të vritej në bastisjen izraelite që goditi Spitalin Nasser në Khan Younis, në Rripin jugor të Gazës.

“Ghaith, zemra dhe shpirti i nënës sate, je ti. Të kërkoj të mos qash për mua, por të lutesh për mua, që të mund të qëndroj e qetë. Dua që ta mbash kokën lart, të studiosh, të jesh i shkëlqyer dhe i dalluar, dhe të bëhesh një njeri me vlerë, i aftë të përballesh me jetën, dashuria ime.”

Fjalë që godasin si me thikë dhe në të njëjtën kohë ngrihen si një himn për qëndrueshmërinë. Gazetarja zgjodhi të qëndronte pranë popullit të saj dhe të rrëfente vuajtjet e civilëve të bllokuar në luftë. Ajo shkroi për repartet e mbushura me fëmijë të kequshqyer në Spitalin Nasser, për mjekët e rraskapitur që luftonin për t’i shpëtuar ata pavarësisht mungesës së burimeve.
Në letrën e saj, Mariam i kërkon të birit ta ruajë kujtimin e përkushtimit të saj:

“Mos harro se bëra gjithçka që munda për të të bërë te lumtur, të ndihesh rehat dhe në paqe, dhe se gjithçka që bëra ishte për ty. Kur të rritesh, të martohesh dhe të kesh një vajzë, vëri emrin Mariam, emrin tim”.
Midis katër gazetarëve të vrarë në sulmin që shkatërroi spitalin ishin Mohammed Salama, një korrespondent i Al Jazeera, dhe Hussam al-Masri, një kameraman që punonte për Reuters. Një fotograf tjetër, Hatem Khaled, u plagos. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, të paktën 192 punonjës të medias janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza, një shifër e paparë krahasuar me konfliktet e tjera të fundit.

Associated Press, me të cilin Mariam kishte punuar që nga fillimi i luftës, tha se ishte “i tronditur dhe e trishtuar” nga vdekja e saj. Gazetarja kishte punuar gjithashtu për Independent Arabia dhe botime të tjera ndërkombëtare, duke dokumentuar pa u lodhur krizën humanitare. Djali i saj, Ghaith, ishte evakuuar në fillim të konfliktit, kurse ajo kishte vendosur të qëndronte.
Mesazhi i tij i fundit, drejtuar djalit, jehon si një dëshmi universale guximi dhe dinjiteti:

“Ti je dashuria ime, zemra ime, mbështetja ime, shpirti im dhe djali im: ai që më bën të mbaj kokën lart me krenari. Ji gjithmonë i lumtur dhe ruaj një reputacion të mirë. Lutem për ty, Gaith: lutem sërish, pastaj lutem dhe përsëri lutem për ty” .
Njëzet e dy muaj luftë e kanë transformuar Gazën në një varrezë për gazetarët, mjekët dhe civilët. Vdekja e Mariam Abu Dagga nuk është vetëm humbja e një zëri të pavarur, por edhe e një nëne që e shndërroi hidhërimin në një akt dashurie absolute. Trashëgimia e saj shpirtërore mbetet si një paralajmërim dhe një lutje për botën që të mos harrojë se çfarë po ndodh në Gaza.

Latest articles

Related articles