STUDIMI| Valët e të nxehtit po na plakin më shpejt se duhani apo alkooli

spot_img
Advertisements

Një studim i ri thotë se ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit po e përshpejton procesin e plakjes te njerëzi, me pasoja që mund të jenë të krahasueshme me dëmet që shkaktojnë pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, dieta e dobët apo mungesa e aktivitetit fizik.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat ekstreme, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, mund të shkaktojnë dëme afatgjata në shëndetin e miliarda njerëzve në mbarë botën.

Derisa ishte tashmë e ditur se valët e të nxehtit shkaktojnë rritje të menjëhershme të vdekjeve të parakohshme, siç ishte rasti me thuajse 600 vdekje të lidhura me një valë të nxehti në Angli, kjo është një nga analizat e para që shqyrton ndikimin afatgjatë.

Në një studim që përfshiu 25,000 persona në Tajvan për 15 vite, studiuesit krahasuan ekspozimin e tyre ndaj valëve të të nxehtit me moshën biologjike, një tregues i shëndetit të përgjithshëm.

U zbulua se moshimi biologjik rritej me rreth 9 ditë për ata që përjetonin 4 ditë më shumë me temperatura ekstreme brenda një periudhe dyvjeçare. Ndërkohë, punëtorët të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë kishin një rritje të moshës biologjike prej 33 ditësh.

Shkencëtarët theksojnë se, edhe pse këto shifra mund të duken të vogla, ato mbulojnë vetëm një periudhë dyvjeçare. Ndikimi gjatë gjithë jetës mund të jetë shumë më i madh. Rritja e moshës biologjike është gjithashtu një tregues i fortë i rrezikut për vdekshmëri të hershme.

“Ekspozimi ndaj valëve të të nxehtit në periudha të gjata mund të ketë pasoja shumë më të rënda se sa kemi raportuar,” tha Dr. Cui Guo nga Universiteti i Hong Kongut, që drejtoi kërkimin. “Dhe për shkak se këto valë janë gjithnjë e më të shpeshta dhe zgjasin më shumë, ndikimet në shëndet mund të përkeqësohen edhe më tej.”

Profesori Paul Beggs nga Universiteti Macquarie në Australi shtoi: “Të gjithë kemi përjetuar valë të nxehti dhe kemi menduar se ia kemi hedhur pa pasoja – por ky studim tregon se këto valë në fakt ndikojnë në mënyrën se si plaket trupi ynë.”

Ai gjithashtu përmendi një zbulim tjetër tronditës nga viti 2024, ku u gjet se ekspozimi ndaj të nxehtit në fëmijëri dëmton zhvillimin e trurit. Të dyja gjetjet tregojnë se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë negativisht në çdo moshë dhe ndikimi mund të jetë i përhershëm.

Studimi u botua në revistën Nature Climate Change dhe mat përmes analizave mjekësore të ndryshme si tensioni i gjakut, niveli i kolesterolit, inflamacioni, funksionet e mushkërive, mëlçisë dhe veshkave për të përcaktuar moshën biologjike të individëve.

Valët e të nxehtit nuk janë thjesht të pakëndshme por ato mund të jenë plakje e padukshme që po na ndodh të gjithëve, dita-ditës

Latest articles

Related articles