-Zonja Brigitte Macron, me të cilën qëndruat bashkë gjatë vizitës zyrtare të çiftit Macron në Tiranë, ka thënë se “nuk dëshiron të jetë e padukshme, edhe pse nuk ka një funksion institucional”. A mendoni se bashkëshortet e liderëve politikë duhet të kenë një zë më të fortë publik? – Newsbomb
Brigitte është grua shumë speciale dhe ndjehem me fat që rasti e ka sjellë për mua që ta takoj dhe të kem mundësi të kaloj kohë me të. Brigitte zotëron fuqinë që të jetë Zonjë e Parë në çdo mjedis ku gjendet, jo thjeshtë dhe vetëm se është Zonja e Parë e Francës por sepse është vetë Ajo. Me elegancë, kujdes, vemendje për këdo pranë saj ajo ja del mrekullisht mirë të ndajë shqetësimet e mëdha të botës dhe gëzimet e kuptimet e vogla por domethënëse të jetës. Në vizitën e saj zyrtare të para tre muajve në Shqipëri sëbashku me Presidentin Macron, Brigitte zhvilloi një bisedë me nxënësit e seksionit frankofon në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë dhe të disa nxënësve të tjerë të ardhur nga Korça. Aty pashë se si papritur Zonja e Parë e Francës u kthye lehtësisht në mësuesen pasionante që i fliste nxënësve për rëndësinë e përqendrimit në shkollë dhe moslejimin e problemeve të të përditshmes, sfidave emocionale dhe marrëdhënieve sentimentale që të shpërqendrojnë vëmendjen nga mësimi. Pashë se si i inkurajonte për të shkruar lirshëm mendimet, shqetësimet apo ngjarjet e ditës menjëherë pasi ato ndodhin si mënyrë e shëndetshme për të përpunuar ndjenjat dhe për të rikthyer ekuilibrin emocional. Pashë sa e vështirë u bë për nxënësit të shkëpusnin bisedën me Brigitte për letërsinë frenge dhe autorët e mëdhenj francezë. Dhe më tej pashë se si në fund u rishfaq në bisedë përsëri Zonja e Parë e Francës teksa komplimentonte e impresionuar nxënësit bashkëbisedues për nivelin e dijes dhe seriozitetin ndaj shkollës duke i krahasuar dhe me bashkëmoshatarët e tyre në Francë. Brigitte Macron është një grua e fortë dhe sfiduese që me origjinalitetin e saj të spikatur ka aftësinë të provokojë dhe të inspirojë.



