“Siddharta” – Udhëtim në thellësinë e qenies

spot_img
Advertisements

nga Prof. Taulanda Jupi

“Siddharta” shkruar nga nobelisti Hermann Hesse është një vepër që shkon përtej kufijve të letërsisë së zakonshme. Quajtur me të drejtë “një poemë indiane”, ky libër nuk është një roman me subjekt klasik, por një udhëtim filozofik mbi shpirtin njerëzor, kërkimin e vetvetes dhe rrugën drejt ndriçimit të brendshëm.

Vlera e këtij libri nuk qëndron në zhvillimin e ngjarjes, por në thellësinë e mesazheve që përcjell mbi durimin, urtësinë dhe zbulimin e vetvetes.

Përmes rrugëtimit të Siddhart-ës Hermann Hesse të tërheq drejt ndriçimit dhe të vërtetës: se përmbushja shpirtërore e qenies nuk mund të mësohet apo të jepet nga të tjerët por është një përvojë që fitohet me kohë, durim dhe përballje personale me jetën.

Mesazhi i Hesse është i qartë: Urtësia, njohja e vetvetes nuk janë një destinacion, por një proces i dhimbshëm që mund të përjetohet vetëm nga ata që janë të gatshëm të qëndrojnë, të vëzhgojnë, pranojnë dhe kanë vullnetin të durojnë çdo sfidë.

“Siddharta” që unë lexova më ftoi të kem DURIM me njerëzit, me jetën, me rrugët e jetës që s’janë gjithmonë të drejta, të lehta apo të shpejta. Durimi nuk është dobësi, është një forcë e heshtur që të mban në këmbë kur gjithçka tjetër lëkundet.

Po! Durimi është një virtyt i çmuar, por gjithashtu përpjekja e vazhdueshme dhe këmbëngulja – sepse pa to, rruga e vështirë drejt vetëkuptimit dhe realizimit mbetet vetëm dëshirë.

Latest articles

Related articles