DW raportoi se “një gjykatë në qytetin lindor të Dresdenit filloi gjyqin e dy personave të dyshuar për spiunazh për Kinën. Njëri nga të pandehurit, një ish-asistent i një ligjvënësi nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), akuzohet për dhënien e informacionit kinezëve që nga viti 2002. Ish-ndihmës i AfD-së, i identifikuar vetëm si Jian G. sipas ligjeve gjermane të privatësisë, akuzohet për dhënien e informacionit inteligjencës kineze për dekada të tëra.”
Periudha përfshin një kohë kur ai punoi për Maximilian Krah – në atë kohë anëtar i Parlamentit Evropian për partinë populiste të ekstremit të djathtë.
Prokurorët në Dresden akuzojnë Jian G. për dhënien e informacionit mbi debatet dhe vendimet në Parlamentin Evropian, së bashku me informacione të tjera. Ai dyshohet se ka aksesuar në mënyrë të paligjshme më shumë se 500 dokumente që parlamenti, midis viteve 2019 dhe 2025, ku kishte dokumente të klasifikuar si “veçanërisht të ndjeshme”. G., i cili u arrestua në qytetin lindor gjerman të Dresdenit në prill 2024, dyshohet gjithashtu se ka mbledhur informacione mbi figura të larta të AfD-së, përfshirë udhëheqëset e partisë Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Është gjithashtu e mundur që informacioni i mbledhur nga Jian G. të përfshijë detaje të ndjeshme rreth funksionimit të vetë AfD-së, zbulimi i të cilave mund të jetë një turp për partinë. Megjithatë, Krah i ka thënë revistës së lajmeve Der Spiegel se ai kurrë nuk ka diskutuar disa probleme të brendshme me të pandehurin. I pandehuri i dytë, i identifikuar vetëm si Jaqi X., ka punuar në një kompani që i ofronte aeroportit të Leipzigut shërbime logjistike. Ajo akuzohet se ka ndihmuar Jian G. të ketë akses në informacionin mbi fluturimet dhe pasagjerët, veçanërisht në lidhje me transportin e pajisjeve mbrojtëse. Vetë Krah është nën hetim të veçantë me dyshimin për pastrim parash dhe korrupsion, pjesërisht të lidhur me firmat e lidhura me Jian G.