Andi Kurti
Ishte data 3 gusht 2020 kur policë të armatosur rrethuan Ora News, a thua se ishte baza talebanësh. Sot, po në gusht rrethohet me polici televizioni News24. Mesa duket këto aksionet qeveria i lë në gusht, gjatë pushimeve. Në këtë rast viktimat e para të këtyre aksioneve janë gazetarët dhe punonjësit e medies, me të cilët solidarizimi është gjëja më e pakët që kërkohen në kësisoj ndodhish. Ata gjenden përballë një situate që nuk ia uroj kujt!
Mesa duket “koka” e këtij “operacioni” na qenka Ardi Veliu. Qesharake! Përtej kësaj, shteti thotë se televizioni qenka në kushte paligjshmërie me godinën shtetërore dhe duhet ta lirojë. Por mënyra e veprimit nga ana e shtetit vetëm një shteti demokratik nuk i përngjason. Vetëm në regjime ku qeveris njëshi shihen skena të tilla ku gati sa nuk marrin ushtrinë për të zbatuar një urdhër administrativ. Media si institucion ka dallim nga një biznes tjetër privat se është një pasuri kombëtare dhe nuk mund të trajtohet me të njëjtën qasje.
Kujt i ke shkelur në kavo?
Në rastin e Ora News dhe Agon Channel ishte drejtpërdrejt Erion Veliaj, në rastin e News24 guxoj të them se është Belinda Balluku. Shikoni pak sa lajme ka bërë News24 këto kohë kundër saj dhe njerëzve që kanë lidhje me të. Sigurisht kanë pasur një prapavijë, ama publiku përfiton në raste të tilla. Pushteti nuk i ka qejf shumë këto sulme. Fillimisht të çon mesazhe nëntokësore, e nëse nuk arrihet një akord, vijmë deri tek situata e sotme.
Në këtë pikë vetë mediet duhet edhe të heqin dorë nga gjobat apo lajme me porosi! Fjala e lirë dhe gazetaria këtu e ka shtyllën e saj të integritetit, se përndryshe shndërrohen në një mjet shantazhi. Nuk mund të publikohen dhe fshihen lajme me porosi dhe telefonata se ashtu do pushteti apo oligarku! Sidomos kur bëhet fjalë për këta të fundit, e vërteta dhe fjala e lirë e humbasin totalisht shkëlqimin e tyre.
Qeveria dhe pronarët
Përtej pretendimeve për paligjshmëri në godinë, çështja ka një thelb më të thjeshtë: marrëdhënien okulte të pronarëve të medies me pushtetin. Pa përjashtim pronarët e medieve në vend kanë vendosur një marrëdhënie okulte dhe interesi më pushtetin, ashtu sikurse edhe me disa oligarkë, duke vendosur biznesin si prioritet të parë, dhe medien e gazetarinë si prioritet të pestë.
Madje ata, për shkak të kësaj marrëdhënie ku deri dje hanin e pinin bashkë, shpresojnë dhe mendojnë se i Mreti Rama do t’ua falë shkeljet që bëjnë, pa menduar se Mreti nuk pyet për “miq” dhe “aleatë”, të shet sa herë të dojë. Nuk mundet të drejtohet një televizioni duke qenë në mëshirën e pushtetit që të lejon paligjshmërinë kur i intereson. Këta pronarë janë një rrezik edhe për vetë medien e tyre, shpeshherë duke u bërë edhe armiq të gazetarëve në favor të pushtetit.
Sigurisht, qershia mbi tortë është edhe lëpira për vite të tëra që shumë medie i kanë bërë Erion Veliajt, të cilit edhe pordhët ia fusnin live. Edhe atëherë ekzistonte liria e medies, por e mbyste interesi dhe biznesi. E kështu, njeriu më i neveritshëm i kryeqytetit shfaqej në ekran si llërëpërveshur e punëtor i madh.
Ca të nënës, ca të njerkës
Për shkak të kësaj marrëdhënie me pushtetin, mediet në vend tolerohen edhe kur bëjnë shkelje, ama toleranca zbatohet vetëm kur je në linjën editoriale të caktuar dhe nuk shkel interesat e pushtetit. Nëse del nga vija, të vjen policia dhe fadromat!
Kjo nuk ndodh me mediet që janë pranë pushtetit. Përkundrazi, ato shpërblehen për shërbimet e tyre. Merrni rastin e medieve që drejtohen nga Carlo Bollino, të cilit iu dha një godinë tek ish kompleksi Partizani (kompleks që po i ha kokën Berishës dhe Malltezit). Pronarët e Top Channel-i, A2CNN-it, TVKLAN-it dhe SCAN-it janë ndërtues, oligarkë dhe klientë të qeverisë, e përderisa qëndrojnë të tillë, ata nuk preken pavarësisht sa shkelje bëjnë. Nuk mund të jesh edhe ndërtues e investitor strategjik, edhe medie, për më tepet e lirë dhe e pavarur! (Mbani mend si e sulmoi Rama Top Channel-in për ca lajme kundër qeverisë!)
Solidariteti mes veti
Elementi më i trishtë në këtë histori është mungesa e solidaritetit mesa vetë mediave dhe gazetarëve. Sigurisht si individë dhe kolegë solidarizohemi me ata gazetarë që u rrezikohet ushtrimi i profesionit dhe rroga e tyre, ama si bashkësi gazetarësh ky solidaritet nuk ekziston, sepse mungon organizimi kolektiv. Ndërsa në nivel solidariteti mes mediesh, as mund të flasim. Shumë medie sot, edhe ato vetë që janë sulmuar nga pushteti, sot po heshtin, duke mos publikuar atë që po ndodh me News24.
Kjo shkon përtej trishtimit dhe hipokrizisë! Pronarët nuk e duan këtë lloj solidariteti, çështje interesi, por edhe gazetarët e veçuar dhe pa bashkëpunim janë punëtorë më të bindur; nuk reagojnë dhe organizohen as kur nuk u paguan sigurimet dhe u shkel të drejtat. Ata janë më mirë si punëtorë fasonerie që kërcënohen me vendin e punës, sesa individë me statusin e gazetarit dhe të së vërtetës. Sigurisht kjo për pushtetin është dhurata më e mirë!
Në këtë pikë gazetarët janë kthyer në viktimë konflikti mes pushtetit dhe pronarëve. Janë ata të parët që përballen me aksione të tilla të shëmtuara; po ata dalin me fytyrë dhe zë, janë po ata që rrezikojnë punën, profesionin dhe të ardhurat me të cilët jetojnë. Pronarët rrinë të strukur në folezat e tyre të rehatshme, e kanë kaq siguri ekonomike. Nesër ose pasnesër mund t’i rregullojnë marrëdhëniet me pushtetin dhe të veprojnë sërish sikur s’ka ndodhur gjë, duke lëvduar republikën tonë madhështore.
Sigurisht, një medie e keqe është shumë më mirë sesa pa medie fare. Por edhe mediet duhet të dalin nga ky bataku ku janë futur dhe molepsja me pushtetin! News24 dhe shumë medie të tjera në vend kanë goca dhe çuna shumë të aftë, punëtorë dhe profesionistë, që nëse lihen të lirë të bëjnë gazetari do të bënin një punë shumë të mirë. Ama, që të ndodhë kjo duhet së pari të kalohet mbi pronarët dhe pastaj mbi pushtetin. Televizionet të drejtohen nga gazetarë dhe borde gazetarësh, jo nga biznesmenë feudalë që nuk marrin vesh nga media dhe gazetaria, e që e drejtojnë një televizion si lavash apo pikë bastesh.
Rasti i fundit ndaj News24 sigurisht është sulm ndaj fjalës së lirë dhe medies, por ama është edhe konflikt mes pushtetit dhe pronarit, duke vendosur medien dhe gazetarët si mburojë, përballë një Edi Rama që ka çdo pushtet të mundshëm. E kjo ka ndodhur e do të ndodhë me shumë medie në vend, sepse biznesi vendoset gjithmonë para gazetarisë!
Mediet si pasuri publike të jenë 50% në “pronësi” të bordeve të gazetarëve, jo vetëm pronarëve injorantë, ndërtues, oligarkë dhe lëpirës të pushtetit. Të çlirohet hapësira mediatike nga pronarë gjobaxhinj, matrapazë dhe bythë e brekë me qeverinë, në mënyrë që media të mos jetë në mëshirë të një kryeministri satrap, arrogant, autoritar dhe hakmarrës me aksione të tilla “në kuadër të zbatimit të ligjit”.
Në solidaritet të plotë me gazetarët e News24, por jo pronarët, të çdo televizioni qoftë ai!
Ardhshin ditë më të mirë, se të këqijat janë këtu!


