SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona të akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë tentativë vrasjeje, trafik armësh, drogë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërkohë që ka kërkuar pushimin e çështjes për dy persona të tjerë, për të cilët nuk u provua përfshirja në krim.
Sipas SPAK, kanë përfunduar hetimet për gjashtë të pandehurit Albert Zaja, Edison Muçeku, Elvis Ndreca, Armando Ndreca, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli.
Ata akuzohen për grup të strukturuar kriminal, të implikuar në tentativa për vrasje, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm armësh, si dhe në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Hetimet zbuluan se veprimtaria e grupit përfshinte ngjarje të ndryshme kriminale në periudhën 2020–2021, përfshirë tentativën për vrasjen e Durim Bamit dhe Ervin Kodrës në Fushë-Krujë, sigurimin e kushteve për eliminimin e shtetasit Hamza Terziu, dhe prodhimin e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë.
Nga hetimet rezulton gjithashtu se Bajramaj dhe Pikli ishin të përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, që iu shiteshin edhe individëve me precedentë penalë.
Dinamika e ngjarjeve të hetuara:
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se:
04.11.2020, Ura e Tapizës, Fushë Krujë – Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.
maj–korrik 2020 – Albert Zaja dhe Edison Muceku siguruan mjetet për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.
korrik–gusht 2020 – Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e shtetasit Durim Bami.
tetor 2020 – Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
2020–2021 – Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur edhe personave me precedent penal.
Ndërkohë, për të pandehurit Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, të akuzuar më herët për përfshirje në vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt 2021 në Fier, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes penale, pasi nga provat e grumbulluara nuk rezulton që ata të kenë qenë bashkëpunëtorë në krim.
Sipas SPAK, viktima ishte ngatërruar me një tjetër objektiv, dhe njëri nga ekzekutorët është dënuar tashmë me vendim të formës së prerë.
Hetimet për anëtarë të tjerë të dyshuar, të identifikuar apo ende të paidentifikuar, të përfshirë në vrasjen e Kastratit, vijojnë në kuadër të procedimit penal nr. 59/2022.