Zv. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Z.Rexhino Cekrezi, ka marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së kampit veror të përvitshëm të “Code for Albania”, pjesë e nismës Korca ICT Academy, që fton të rinj të apasionuar pas teknologjisë nga e gjithë Shqipëria në Korçë. Z. Çekrezi cilësoi këtë kamp veror programimi si shumë frymëzues, ku të rinjtë tanë mund të hedhin hapat e parë drejt një të ardhmeje digjitale të ndërtuar nga vetë ata.
Gjatë këtyre javëve, pjesëmarrësit mësojnë më shumë sesa të shkruajnë një kod. Ata mësojnë si të zgjidhin probleme, të punojnë në ekip, të mendojnë në mënyrë llogjike dhe të transformojnë idetë e tyre në projekte konkrete. Këto aftësi të fituara janë një aset që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Kampi u mundësua nga përkushtimi i instruktorëve dhe mentorëve të jashtëzakonshëm, përfshirë alumni nga universitete të Ivy League si Stanford dhe profesionistë që punojnë në kompanitë më të mëdha teknologjike amerikane. Kjo përvojë e drejtpërdrejtë dhe e nivelit të lartë u ka dhënë pjesëmarrësve një dritare reale drejt botës së inovacionit global.

Në AmCham besojmë se inovacioni fillon nga kureshtja. Të rinjtë kanë provuar gjatë angazhimit në kamp përmes pyetjeve, eksplorimit dhe krijimtarisë, interesin në rritje për inovacionin. Këto janë themelet e sipërmarrjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Përfaqësuesit e dy kompanive anëtare të AmCham, Trifolium dhe World Vision Albania, duke vlerësuar rëndësinë e madhe që ka edukimi i një brezi të ri me njohuritë digjitale, u bënë jo vetëm frymëzuesit por edhe organizatorët kryesorë të këtij kampi, së bashku me Bashkinë Korçë. Angazhimi i tyre është një shembull praktik i punës që jemi duke bërë si organizatë për zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve në Shqipëri.
Së shpejti, AmCham Albania do të nisë punën për ngritjen e Komitetit për të Rinjtë dhe Inovacionin, një platformë e re për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve në teknologji dhe biznes.
AmChamAlbania




