Sekuestrohen nga Prokuroria e Tiranës pasuritë e pajustifikuara dhe të padeklaruara të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Doha, Edmond Çaça.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u sekuestruan pasuritë e pajustifikuara dhe padeklaruara të shtetasit E.Ç., ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar dhe bashkëshortes së tij, B.C.
Hetimet mbi procedimin penal nr.1838 të vitit 2019, nisën pas referimit të materialit kallëzues nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKPI) për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim“ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.
Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi E. Ç., ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.