nga Sidi Hasanaj
Ndërsa vendi përvëlohet nga i nxehti afrikan dhe qielli i jugut mbulohet nga shtellunga tymi të zi nga inceneratorët fantazmë që po djegin plehrat e këtij vendi – në Vlorë, Durrës dhe Elbasan, në kulmin e sezonit turistik – Shqipëria përjeton një tjetër skenë makabre nga teatri surreal i qeverisjes. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë dramë mjedisore dhe shëndetësore. Askush nuk po reagon… askush përveç një “shpëtimtari” që në avujt e nxehtë të vapës dhe tymit të zi të plehrave, shfaqet me siluetën e tij duke luftuar i palodhur… shpëtimtari Edi Rama!
Edi ka zbuluar fajtorët, shkaktarët dhe bashkë me ta edhe shpëtimin e Shqipërisë nga ky ferr:
shkarkimin e drejtorëve të komunales në bashkinë e Vlorës, shkatërrimin me topat e pushtetit të pushtuesve të huaj që kanë nxjerrë karrige në trotuarin e Lungomares dhe luftën këmbësoriake me armaten e policisë kundrejt fashistëve me makina që parkojnë keq në rrugicat dytësore të Vlorës. Ky palaco shpëtimtar!
Në një akt të denjë për tragjikomedinë që po jetojmë, Rama shkarkon drejtues lokalë dhe urdhëron prishjen e disa ambienteve në Lungomaren e Vlorës – sikur problemi i këtij vendi të jetë një tavolinë shumë pranë detit apo një kioskë me shezlonë.
Po a nuk ishte qëllimi i Lungomares krijimi i infrastrukturës për aktivitet ekonomik? Apo ndërtuam asfalt për të bërë ecje meditimi mes makinave? Nëse do të ishte për qetësi, gjelbërim e natyrë, do të zgjeronim vijën bregdetare, jo betonin.
Por ndërkohë që “reformohet komunalia” nën bindjen pakarakter të andrologut të kthyer kryetar bashkie, Ermal Neki Dredha, asnjë fjalë për një tjetër flakë të hapur:
Patos-Marinza dhe Bankers!
Skandali 20-vjeçar që ende nuk ka emra dhe ndëshkime
Mbi 5 miliardë euro naftë të prodhuara nga Bankers Petroleum në 20 vite – dhe gjithsesi vetëm humbje janë deklaruar. Ndërkohë, sipas ekspertëve të sektorit të hidrokarbureve dhe indicieve të prokurorisë, nga çdo 1,000 ton naftë që prodhohet, vetëm 700 raportohen zyrtarisht. 300 ton të tjera zhduken, futen ilegalisht në treg, dhe shkatërrojnë konkurrencën, shtetin dhe besimin.
Kjo skemë kriminale ka gjeneruar:
- 4.8 milionë ton naftë të padeklaruar
- Dëm minimal prej 2.88 miliardë USD nga shitjet e fshehura (4.8 milionë tonë. Duke marrë një çmim minimal historik prej 600 USD/ton, dëmi minimal nga nafta e padeklaruar është: 2.88 miliardë USD, dhe mbi 4 miliardë në rastin mesatar)
- TVSH dhe akciza e shmangur në mënyrë të paligjshme arrijnë në rreth 30% të vlerës së naftës së padeklaruar, pra rreth:
0.86 miliardë USD - Tatimi mbi fitimin në normë efektive deri në 50%, mbi fitimet e fshehura prej më shumë se 1.5 miliardë eurosh, kap vlerën:
0.8 miliardë USD - Dëme mjedisore dhe shëndetësore shtesë mbi 0.5 miliardë USD
Dëmi total? Mbi 5 miliardë dollarë.
Dhe në vend të një hetimi të thelluar penal për 20 vite tradhti të interesit publik – qeveria ka gjetur “zgjidhjen”: të krijojë një agjenci shtetërore që importon dhe shpërndan naftë si grosist.
Nga vjedhja e pasurisë, te kapja e tregut: Shteti-Grosist
Ky nuk është as nacionalizim nga shpëtimtari Edi Rama, as kontroll strategjik i një industrie. Është një ndërhyrje e paprecedentë, që nuk ndodh as në Norvegji, as në Emirate, as në Indi ku thonë se janë inspiruar: hyrja direkte e shtetit në tregun privat si aktor që konkurron dhe kontrollon njëkohësisht.
Ky model nuk ekziston në asnjë ekonomi moderne të tregut të lirë;
pasi i jep qeverisë një mjet të rrezikshëm për të ndikuar politikisht dhe klientelist tregun e karburanteve; e si derivat rrezikon të shkatërrojë konkurrencën dhe të kontrollojë çmimet sipas interesit politik.
Kemi monopol në sektorin e grosistëve të naftës, vetëm një operator – ky është problemi. Në vend që përmes çlirimit të këtij sektori nga monopoli i Kastratit, Edi Rama po i fut edhe një spirale tjetër shkatërrimi tregut, shtetin si aktor.
Shteti e ka krijuar dhe lejuar monopolin e Kastratit, tani ky shtet do e luftojë duke garuar me Kastratin?! Kaq infantilë janë në mendime?
Kaq shumë e urrejnë këtë vend?
Kaq majtistë me ideologji komuniste do durojë ky popull?
Në vend të shkatërrimit të monopol-it dhe diktatit të një subjekti – zgjidhet të kthehet vetë shteti në tregtar, çfarë dramë!
Ky nuk është rregullim, por kapje e re.
Ndërsa shqiptarët paguajnë karburant më të shtrenjtë se gjysma e Europës, dhe motorët e makinave shkatërrohen nga karburant i kontaminuar, shteti bën sikur nuk sheh. Dhe zgjedh të bëhet vetë grosisti, sepse dështoi të jetë rregullatori.
Çfarë i duhet vërtet këtij vendi?
- Një shtet rregullator dhe transparent, jo një aktor që konkurron me qytetarët e vet;
- Hetim penal dhe përgjegjësi për skandalin e Bankers, nga SPAK, jo nga prokuroria e Fierit;
- Mbrojtje për konsumatorin dhe mjedisin, jo djegie plehrash në mes të qyteteve dhe pushimeve;
- Konkurrencë e ndershme, jo lojëra të errëta me tenderë dhe naftë.
E mbi të gjitha i duhet një zë opozitar!
Përse nuk flasin për skandalin e Bankers Berisha, deputetët si Jorida Tabaku, deputetë e opozitës, deputetët dhe ish-deputetët e zonës së Fierit???
Ahhh, heshtje vrastare.
E ndërkohë në rrjetet e tyre sociale nxjerrin foto nga inaugurime me dronë dhe shampanjë të sezonit, te resorti i një tjetër oligarku në Dhërmi.
Sa shumë e paskan urryer këtë vend! Sa shumë e përçmojnë… sa të zinj janë!