Shefi i kuzhinës Izet Shulku, i njohur ndryshe si “Tarzani i Dibrës” rrëfen pasionin e tij për tu zhytur në ujë me akull në temperatura -12 gradë, sport të cilin e ushtron prej 20 vitesh.
Për zhytjen në ujë me akull, çelësi i sekretit është mendja, po të marrësh vendim. Mua ma kërkon trupi vetë, merrem me aktivitete sportive. Kam 25 vjet me palestër sportive në shtëpi. Vrapin e praktikoj tre herë në javë.
Unë në çdo majë mali kam gjetur nga një doktor, kam gjetur shërim tek natyra. Në 15 qershor kam ngjitur malin e Korabit, më pas kam bërë dhe guida. Unë e ngjis malin e Korabit për 2 orë, të tjerët të njëjtën rrugë e bëjnë për 5 orë.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, ai tha se zhytja në ujë me akull të ndihmon dhe shton se pas kthimit ndihet sikur ka fjetur një javë.

Vjet dhe parvjet te Liqeni i zi në Tërnovë të Bulqizës jam larë në -15 gradë dhe ka qenë 40 centimetër akull. Ajo ka qenë fantastike për mua, kur futem si balenë apo fokë nuk e ndjej fare. Nuk lagem më parë, zhytem direkt.
Temperaturë apo probleme me ftohjen nuk kam problem. Kur kthehem nga mali jam më i qeshur dhe më me energji. Unë jam 52 vjeç dhe deri më sot nuk e njoh gripin se çfarë është. Unë rri me të shkurtra gjithmonë dhe në dimër. Unë jam bërë njësh me natyrën dhe gjallesat.
Mua më pëlqen që të më thërrasin Izet jo Tarzani i Dibrës, pasi shpesh më thonë që edhe Tarzani nuk ka arritur të bëj këto që bën ti.
Në verë kur nuk ka ujë të ftohtë dhe akull, është uji i ftohtë te llixhat që është zero gradë. Kur del nga zhytja, ndihesh aq me energji sikur ke fjetur një javë rresht. Edhe ime shoqe vjen në 4 të mëngjesit me mua.
Në mal po nuk fjete dy netë, po nuk pe mëngjesin dhe darkët, po nuk u lave në ujë të ftohtë, po nuk hëngre qengj të pjekur dhe gjalpë, nuk ke qenë në Bjeshkë. Ëndrra ime ka qenë të ndërtoj një restorant me ushqime tradicionale, ku ia arrita dhe punojmë familjarisht, bashkë me tre punëtorë


