Bota e sotme ka shumë nevojë për mënyra ndërtimtare të paqes, si sporti, “shkollë respekti dhe besnikërie, që zhvillon kulturën e takimit dhe të vëllazërisë”. Stil jete, që duhet praktikuar me vetëdije, “duke kundërshtuar çdo formë dhune dhe shtypjeje”. Kështu u shpreh Papa Leoni XIV para lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve të mbledhur pa pyetur fare për vapën e madhe të verës, duke kujtuar, më pas, edhe konfliktet e shumta të armatosura në botë:
Në Mianmar, pavarësisht armëpushimit, luftimet vazhdojnë, me dëme në infrastrukturën civile. I ftoj palët të ndjekin rrugën e dialogut të përgjithshëm, i vetmi që mund të çojë në zgjidhje paqësore e të qëndrueshme.
Masakra e tmerrshme në Nigeri, 200 viktima ndërmjet të zhvendosurve
Papa Prevost kujtoi më pas masakrën e tmerrshme, në të cilën rreth 200 persona u vranë “me mizori ekstreme” në Nigeri, natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit, në qytetin Yelwata, në zonën administrative lokale të Gouma-s, në shtetin e Benue. Shumica e tyre – kujtoi me dhimbje – ishin njerëz të zhvendosur brenda vendit, të strehuar nga misioni katolik lokal.
Lutem që siguria, drejtësia e paqja të mbizotërojnë në Nigeri, vend i dashur e tejet i prekur nga forma të ndryshme dhune. E lutem në mënyrë të veçantë për bashkësitë fshatarake të krishtera të shtetit të Benue, vazhdimisht viktima të dhunës.
Në Sudan vdes një famullitar: thirrje për ndihmë humanitare
Leoni XIV kujtoi, më pas, Republikën e Sudanit, “të shkatërruar nga dhuna për më shumë se dy vjet”. E edhe vdekjen e Atë Luke Jumu, famullitar i El Fasher, viktimë e një bombardimi.
Ndërsa siguroj lutjet e mia për të dhe për të gjitha viktimat, përsëris thirrjen drejtuar luftëtarëve që të ndalen, të mbrojnë civilët dhe të angazhohen në dialog për paqen. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i shtojë përpjekjet për t’i ofruar të paktën ndihmesën kryesore popullsisë, të prekur rëndë nga kriza humanitare. Të vazhdojmë të lutemi për paqen në Lindjen e Mesme, në Ukrainë dhe në mbarë botën!
Lumnimi i Floribert, dëshmitar shprese për të rinjtë
Në përfundim Papa kujtoi se sot pasdite, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, do të shpallet i Lum Floribert Bwana Chui, martir i ri kongolez:
U vra në moshën njëzet e gjashtë vjeç sepse, si i krishterë, kundërshtoi padrejtësinë dhe mbrojti të vegjlit e të varfrit. Dëshmia e tij u jep guxim dhe shpresë të rinjve të Republikës Demokratike të Kongos dhe të gjithë Afrikës!
Së fundmi, ftesa drejtuar të rinjve
Ju pres pas një muaji e gjysmë në Jubileun e të Rinjve! Virgjëra Mari, Mbretëreshë e Paqes, ndërmjetësoftë për ne!