nga Virion Graçi
…prof. Ali Aliun e kam lexuar qysh kur u bëra për ato lloj leximesh, pra, për librat studimorë; e kam njohur si njeri kur erdhi të përfaqësonte Kosovën, në fillim të viteve ’90. I shkova në zyrë (te Muzeu Historik, Tiranë) dhe krahas fteses për bisedë me ne studentët e gjuhësisë e letërsisë shqipe, të cilën e pranoi me kënaqësi, i bëra mjaft pyetje për të cilat më mirëkuptoi e më sqaroi aq sa lejonte koha e bisedës. Më vonë jam takuar me dhjetëra herë me të. Nuk i kam dhuruar libra apo lajme të miat, por e kam pyetur e përshëndetur përzemërsisht. Sigurisht, kur ndenjia ishte e gjatë, gjatë e bukur e kemi tjerr bisedën.
Pashë sot foto të tij duke vizituar stendat në panairin e librit në Prishtinë. Ashtu e kam parë në çdo panair tjetër të librit ku dhe unë kam qenë, sepse prof. Aliu s’besoj se ka munguar ndonjëherë në ngjarje librash.
Një muaj më parë, në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave në Prishtinë, megjithëse i ka kapërcyer 90 vite jetë, pra mosha e prindërve a gjyshërve të shumëkujt në sallë, ishte ndër të paktët që dëgjoi çdo kumtues, do paraqitje kumtese nga pjesëmarrësit. “Për tu admiruar je, profesor,” i thashë kur po nguteshim për të dalë “në ajër të freskët” dhe i shtërngova dorën me dashuri.
Përse e falenderova? Sepse të rinj e të reja, të çdo ambienti kulturor a institucioni shkencor, kur shkojnë në këto ‘sebepe’, hyjnë e dalin si me qenë në “Luna Park”, në këndin e lojrave; rëndom nuk kane kohë për punët në të cilat janë pozicionuar prej vitesh, me zgjedhje te lirë, nuk kanë kohë a kureshtje për veprimtaritë për tê cilat njihen, trajtohen, pretendojne se janë bash specialistë.
“E ç’punë kam unë me punët e mia,” do të thoshte edhe sot në viset arbrore ushtari i mirë Shvejk.
…E të tjera, e të tjera…