Rritja e menjëhershme e temperaturave ka dhënë problematikat e para në shëndetin e të vegjëlve.
Në urgjencën pediatrike të QSUT-së vizitat tregojnë një situatë të ngarkuar me viroza dhe shqetësime gastrointestinale.
“Aktualisht kemi një dominim të lehtë të aparatit gastrointestinal që shoqërohet me bark të vjella dhe temperaturë”, u shpreh Albert Lama, shef i Urgjencës Pediatrike në QSUT.
Prezentë janë të gjitha grupmoshat. “Që 1-muajsh, që është edhe mosha më vogël që kemi, deri në 3-4 vjeç”, thotë doktori.
Fluksi i vizitave shkon në rreth 200-210 raste, por sipas shefit të urgjencës vetëm 20 apo 22 raste shtrohen në spital.
“Kemi rreth 200-210 paraqitje në ditë por duhet të kuptojmë që jo të gjitha janë urgjenca të mirëfillta, por paraqitje në urgjencë. Shtrimet përbëjnë jo më shumë se 10% të rasteve që paraqiten”, theksoi Lama.
Mjekët këshillojnë që prindërit të jenë të vëmendshëm kur i drejtohen spitalit, pasi jo çdo gjendje sëmundshmërie fëmijës përbën urgjencë. Mjeku i familjes është hallka e parë.
“Nëse gjendja ka precipituar, nuk është mirë, është i zbehtë, apatik etj., duhet të dërgohet në urgjencë, në varësi të gjendjes, por nëse fëmija është koshient, bashkëpunon dhe është i madh që të tregojë, këshilla e parë është bashkëpunojë me mjekun e familjes”, tha shefi i Urgjencës Pediatrike në QSUT.
Mjekët theksojnë kujdes të veçantë me atë çfarë u jepet fëmijëve për të ngrënë në këto temperatura. Ushqimet duhet të jenë të freskëta, të gatuara në shtëpi dhe në kushte higjienike maksimale.