Me 238 vota, Brunilda Laboviti është Presidentja e re e Urdhrit të Psikologut, një organ i krijuar me ligj në vitin 2017, pjesë e të cilit janë 1600 psikologë në rang vendi. Këto ishin zgjedhjet e dyta në këtë urdhër, pasi ky proces u zhvillua edhe në vitin 2024, por pa sukses.
Që prej themelimit të këtij Urdhri e deri më sot, Presidentja dhe personazhi kryesor që e ka drejtuar urdhërin është Valbona Treska, një psikologe e njohur e cila ka bërë të mundur që Urdhri në këto vite të sigurojë edhe akreditime ndërkombëtare të një rëndësie të veçantë.
Por përtej mantelit të arritjeve, drejtimi i Urdhrit nga Treska është përballur me kundërshtime dhe denoncime të shumta, që lidhen me mënyrën sesi është drejtuar Urdhri prej saj. Të 1600 anëtarët që janë pjesë e Urdhrit janë të lirë të marrin në trajnimet që organizon Urdhri, që më pas të kenë mundësi të punësohen pranë institucioneve përkatëse, ku një pjesë e rëndësishme e interesimit të vetë psikologëve është brenda sistemit të drejtësisë.
Vlerat e trajnimeve pranë Urdhrit nisin nga 35 mijë lekë e deri në 150 mijë lekë të reja.
Por pikërisht këtu ka nisur edhe debati. Brenda Urdhërit ka dy kampe që veprojnë aktualisht. Një që është grupi i themelueses Valbona Treska dhe grupi kundërshtar që e akuzon për praktika të padrejta, për uzurpim të urdhërit, emërime në punë jashtë çdo kriteri dhe për mostransparencë të parave që UP mbledh çdo vit nga trajnimet apo nga institucionet përmes projekteve që ky Urdhër merr.
Por çfarë ndodhi më 5 qershor? Një tjetër moment i papublikuar, dallohet përplasja mes psikologëve dhe Këshillit Drejtues dhe grupit të Treskës.
Siç dëgjohet edhe në video, ata i akuzojnë këshillin drejtues për abuzim.
“Më jep përgjigje këtu në sy të të gjithëve. Je anëtar i këshillit të Përgjithshëm, ju duhet të mbroni interesat tona, ju duhet të mbroni interesat e mia personale. Nuk jam këtu për shaka”.
“Ju na katandisët që ne kemi pakënaqësi, sepse asnjëherë nuk u dëgjua zëri ynë. Na hodhët në rrugë, na keni hedhur në rruge. Shyqyr që ka gjykata që na ka dhënë të drejtë”.
“Ju jeni hajdutë, ju aty jeni hajdutë”.
Çfarë do të ndodhë tani? Ajo që është e qartë, është se përplasja nuk mbaron me 5 qershorin. Në fakt, ajo sapo ka hyrë në një fazë të re, ku besueshmëria e një institucioni që duhet të garantonte etikën dhe shëndetin mendor të shoqërisë, ka rënë pre e interesave meskine.