Tabela e përmasave të mëdha në hyrje të muzeut Arkeologjik të Durrësit ka mbetur njëlloj si tre vjet më parë, kohë kur filluan punimet e restaurimit të tij me një financim 348 milionë lekë nga programi EU4Culture i Bashkimit Europian.
Aty ka ndryshuar tre herë vetëm data e përfundimit të parashikuar të rikonstruksionit. Fillimisht afati i përfundimit të punimeve ishte në nëntor 2023. Më vonë u shty në shkurtit 2024 dhe prillit 2025, dhe tashmë është shtyrë përsëri për fundin e muajit korrik. Po ky nuk është muzeu i vetëm që do ti mbajë dyert e mbyllura për turistët gjatë sezonit veror të këtij viti.
Vonesat disavjeçare në restaurimet e muzeve të Durrësit, i kanë mbajtur larg syve kureshtar të publikut objektet e trashëgimisë kulturore në qytetin antik. Muzeu Arkeologjik, i përuruar për herë të parë në vitin 2003, restaurohet për të dytën herë në 15 vjetët e fundit, dhe vonesat në punime janë të përsëritura.
“Megjithëse interesimi i turistëve të huaj ka ardhur duke u rritur, ne e ndjejmë veten në vështirësi, kur i informojmë ata se Muzeu Arkeologjik më i madh i vendit është i mbyllur,” tha për BIRN Bjordi Xhafa, një udhërrëfyes turistik nga qyteti bregdetar.
“Koha e turit kulturor në Durrës tani nuk i kalon të dy orët, shumë, pasi përveç Muzeut Arkeologjik, edhe Muzeu Etnografik, vazhdon t’i nënshtrohet rikonstruksionit,” shtoi Bjordi.