Në nisje të këtij sezoni turistik Vlora u mbulua sërish nga tymi. U rindez zjarri në landfill. Masivi i plehrave ashtu sikur ka ndodhur disa herë këtë vit, por edhe vitin e kaluar mori flakë duke mbuluar qytetin me retë e zeza të tymit kancerogjen.
Përgjigja? Si gjithmonë zjarrfikësja aty dhe policia nis hetimet për zjarrvënie të qëllimshme. Këtë herë ishte gati edhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha shkruan se ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të kujdesen që mos të ndodhi më diçka e tillë.
“Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia.
Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik. Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar”, shkruan Dredha.
Por këtu pyetja që shtrohet është pse Ermal Dredha nuk e mbajti fjalën që dha në Mars se brenda atij muaji ose në fillim të prillit plehrat do të dërgoheshin në Sherishtë, por vazhdojnë akoma të hidhen aty?