Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën ndryshime në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura”, duke i hapur rrugën dhënies me qira apo investimeve për arsye infrastrukturore dhe ekonomike në pronat e Forcave të Armatosura.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në ligj shtohen një sërë nenesh të reja që kornizojnë kompetencat për hartimin dhe rishikimin e planit të vendosjes, përhapjes dhe administrimin e pronave të FA-ve, duke parashikuar rishikimin e këtij plani në mënyrë periodike çdo 5 vite dhe në çdo kohë në rastet e “investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike…“.
Po ashtu, dispozitat e reja parashikojnë që këto prona të ushtrisë “mund të jepen për përdorim të dyfishtë…” jo vetëm në funksion të veprimtarisë së ushtrisë por “..edhe në funksion të zhvillimit dhe rritjes së vlerës ekonomike të saj”.
Për përdorimin e pronave të ushtrisë për dhënie me qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo forma të tjera do të vendosë Këshilli i Ministrave.
Ndryshimet ligjore shihen me shqetësim nga njohësit e legjislacionit të Forcave të Armatosura për cenimin e karakterit strategjik që ka plani i vendosjes së Ushtrisë përballë hapjes së derës derës për ndërtim hotelesh apo çdolloj investimi për interes afatshkurtër të qeverisë.
Duke analizuar këto ndryshime, Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcës Detare, i tha BIRN se ato janë antikushtetuese dhe cënojnë karakterin strategjik që ka plani i vendosjes së Forcave të Armatosura dhe në këtë mënyrë, lehtëson dhënien e pronave të ushtrisë për rrugë, hotele apo çfarëdo interesi momental të qeverisë.
“Kur flasim për pronat e ushtrisë, ato kanë karakter strategjik, nuk nënkuptojnë nevoja aktuale, por të një prespektive afatgjatë për vendin,” tha Meçollari, duke shtuar se “ky ligj i kushtëzon pronat sipas nevojave aktuale duke u hequr atyre konceptin strategjik”.
Nga ana tjetër, Meçollari këmbëngul se dispozitat e reja bien ndesh me një interpretim të vitit 2015 të Gjykatën Kushtetuese, i cili përcakton se plani i vendosjes ka karakter strategjik për Forcat e Armatosura.
“Ky kriter strategjik cënohet, pasi lejohet të ndryshohet plani i vendosjes për ndërtime infrastrukturore apo investime të tjera,” shtoi ai.
Dispozitat e reja ligjore, sipas Meçollarit do të lejojnë ndërtime me karakter më të parëndësishëm do të cënojnë planin e vendosjes së ushtrisë që ka karakter shumë më të rëndësishëm në nivel strategjik për vendin.
Edhe rishikimi i planit në çdo moment apo në mënyrë periodike 5-vjeçare, për Meçollarin është antikushtetuese. “Koncepti strategjik nuk është me afat 5 vjeçar, por në nevojat strategjike të vendit,” tha ai.
Pronat e Forcave të Armatosura të trashëguara nga regjimi komunist janë bërë shpeshherë objekt i debatit politik apo i hetimeve penale, për shkak të tjetërsimit të tyre përgjatë tre dekadave të fundit.