PD në kërkim të 130 mijë fletëve të votimit, Nuri: Manipulimi për 13 mandate

spot_img
Advertisements

Një nga format e manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit konsiderohet, për demokratët, zhdukja e 130 mijë fletëve të votimit.

“Ka 130 mijë fletë, mos më tepër, që nuk korrespondojnë me prodhimin. Pra, janë prodhuar 3,5 milionë fletë. Janë përdorur një sasi e konsiderueshme nga zgjedhësit në ditën e zgjedhjeve. Kanë tepruar, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rreth 1,9 milionë. Po t’i mbledhësh të gjitha këto, me gjithë fletët e dëmtuara, del që ka 130 mijë fletë votimi që nuk dihet ku janë,” thotë përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri.

Në intervistën për RTSH-në, ai tha se ky abuzim, që kalkulohet me numër të lartë mandatesh për deputetë, duhet të hetohet për shkak se mund të jetë vepër penale.

“Ne aludojmë se mund të jenë zëvendësuar kutitë gjatë transportit. Mund të jenë përdorur në qendra votimi të caktuara për ‘tren bullgar’. Janë 13 mandate, se afërisht 10 mijë vota duhen për mandat. 130 mijë fletë votimi pjesëtim kaq na dalin 13 mandate. 83 i ka marrë Partia Socialiste, të paktën sipas projeksioneve dhe jo të dhënave përfundimtare. Atëherë hiq 13, i bien 70,” shpjegon z. Nuri.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së rrëzon përgjigjen e KQZ-së se votat e gjetura janë pjesë e kontingjentit që ky institucion përgatiti në rast anomalie të votimit elektronik në dy njësi të Tiranës.

“Përgjigjja e KQZ-së ka një mungesë logjike, sepse votimi elektronik nuk ka pasur 27 mijë fletë votimi, sa ç’citohet te shkresa e [kreu të KQZ-së, Ilirjan] Celibashit, por janë mbi 50 mijë fletë votimi. Pra, kuptohet që i kanë bërë llogaritë gabim!” deklaroi ai.

Pavarësisht se nuk e fsheh skepticizmin, z. Nuri i bën apel KQZ-së që të kryejë hetimin administrativ kërkuar nga Partia Demokratike.

Latest articles

Related articles