Presidenti turk Erdogan njoftoi se ka emëruar një ekip prej 10 juristësh që kanë filluar punën për një Kushtetutë të re për vendin, raportoi TRT Global. Sipas tij, Kushtetuta aktuale, e hartuar dy vite pas grushtit ushtarak të vitit 1980, është e vjetëruar dhe bart ndikimin e regjimit ushtarak.
Sipas kritikëve të Erdogan-it, i cili është në krye të Turqisë si president që nga viti 2014 dhe më parë ka qenë për më shumë se një dekadë kryeministër, kushtetuta e re mund t’i japë mundësinë të qëndrojë në pushtet edhe pas vitit 2028.
Puna për kushtetutën e re nis vetëm disa muaj pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit dhe rivalit kryesor të Erdogan-it – Ekrem Imamoglu, i cili akuzohet për korrupsion. Sipas opozitës në vend, arrestimi i Imamoglu-t është politikisht i motivuar.