Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të diel në ujërat detare shqiptare, ku një shtetas i huaj ka humbur jetën dhe një tjetër është gjetur në gjendje kritike nga Policia Kufitare, gjatë një patrullimi të rastësishëm.
Sipas burimeve zyrtare, dy personat, të dy turistë të huaj, janë gjetur në det të hapur në kushte të rënda shëndetësore, ndërsa motori i ujit me të cilin udhëtonin ishte i fikur. Policia Kufitare ka ndërhyrë menjëherë, duke kërkuar ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht, njëri prej tyre ka ndërruar jetë sapo ambulanca ka mbërritur në port, ndërsa tjetri është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Dyshohet se shkaku i ngjarjes mund të jetë hipotermia e shkaktuar nga qëndrimi i zgjatur në det të hapur dhe në temperatura të ulëta. Viktimat nuk kishin me vete dokumente identifikimi dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur identitetin e tyre dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Grupi hetimor i ngritur nga Policia Kufitare dhe autoritetet përkatëse ka nisur menjëherë hetimet për të sqaruar dinamikën e kësaj tragjedie detare.