nga Indrit Vokshi
Veriororët në votë popullore i kanë dhënë 115,000 vota Sali Berishës e Ilir Metës dhe, 139,000 vota Edi Ramës e Tom Doshit.
Po të llogarisim edhe Agron Shehaj, Lul Basha dhe Adriatik Lapaj të cilët Sali Berisha i ka shpallur paterica të Edi Ramës, shtohen edhe nja 15 mijë vota të tjera. Dmth Rama me patericat e tij, ka marrë në Veri, plot 154,000 vota, kundrejt 115,000 që kanë marrë Berisha-Meta.
Këtu paraqitet sikur veriorët janë trima me pushkë sepse votojnë Sali Berishën, ndërsa Jugu dhe Shqipëria e Mesme janë dele, të nënshtruar e të degjeneruar sepse votojnë Edi Ramën.
Kjo është gënjeshtër e tupshme dhe fyerje e poshtër kundër njerëzve sepse i bie që edhe 154,000 veriorë nuk qenkan burra, qenkan dele, qenkan të shitur. Vetëm 115,000 veriorët e Berishës e Metës janë burra.
Qark për qark: Në Shkodër, Berisha-Meta kanë 5 mandate, Rama-Doshi kanë 6. I bie edhe Shkodra popull besprerë.
Në Lezhë: Berisha-Meta kanë 32,000 vota, Rama-Doshi po 32,000. Nëse llogarit edhe Lapaj, Basha, Shehaj, besprerët arrijnë 40,000, ndërsa heronjt mbeten 32,000.
Në Dibër: PS është 11,000 vota para. Në Kukës: diferenca është 3,000 vota që i bie se edhe 17 mijë tropojanë, kuksianë, lumjanë e hasjanë që kanë votuar Ramën dhe Doshin, qenkan të degjeneruar dhe dele.
Hiqni dorë nga ky miti i rrjeshëm dhe i turpshëm i “rracës superiore” të veriorit dhe i “rracës inferiore” të jugorit, mos u bëni hitlerë në version katunar. Sepse së pari është rrenë, veriorët në masë nuk kanë votuar Berishën e Metën. Nëse janë shitur e blerë, përsëri i bie se nuk janë superiorë – sipas jush. Së dyti është mit anti-kombëtar, përçarës.
Njerëzit kanë mendim e interesa, duan të jetojnë e të gjallnojnë si gjithkush tjetër në botë; duan të provojnë e të gabojnë si gjithkush. Çfarë i keni pandehur veriorët ju? I keni pandehur të lindur për të qenë badigardë apo skllevër të Sali Berishës? Nëse i keni pandehur kështu, jeni ju që i fyeni duke i konsideruar “indigjenë”. Veriorët, si shumëkush tjetër, veç budallenj nuk janë, veç skllevër nuk janë. Kanë qenë e mbeten të talentuar për të mbijetuar e për të ruajtur veten. Nuk janë as kamikazë, as badigardë të përjetëshëm.
E mbi të gjitha kanë pak dell kombëtarist, sta pranojnë përçarjen Veri-Jug. Siç duket në votë popullore pra, ku 154,000 kanë votuar jo për Sali Berishën e veç 115,000 për të, veriorët as Sali Berishës nuk ia kanë pranuar përçarjen Veri-Jug. Sepse Lidhja e Prizrenit psh, ka hy në histori kur ka shkuar në të edhe Abdyl Frashëri me Dinot. Edhe Lidhja e Lezhës ka hy sepse kanë hy Muzakajt e Aranitët. Ndryshe do mbeteshin ngjarje krahinore e historia kombëtare sdo i trajtonte. Kështu që hiqni dorë nga budalliku.
Post Scriptum: Personi që po ua shkruan ketë ka prejardhje prej Rrafshit të Dukagjinit rrëzë Bjeshkëve të Namuna.