nga Irena Shabani
Në të njëjtën kohë që në Shqipëri bëhen zgjedhjet parlamentare, në Japoni janë ndërtuar disa rrugë që këndojnë. Në saj të një teknologjie me fllucka ajri në asfalt dhe sipas një distance të llogaritur ato këndojnë. Këngën e dëgjon nëse respekton shpejtësinë e lejuar në këto rrugë që është diku tek 40 km në orë. Një nga rrugët më të njohura melodike ndodhet në prefekturën Gunma, dhe luan këngën “Miagete goran yoru no hoshi o” (Shiko lart yjet në qiellin e natës). Ka gjithsej 30 rrugë të tilla. Po pse më erdhi në mënd kjo? Dje kur po kthehesha nga qëndra e votimit vura re se ne autostrade gjithë tabelat që tregojnë një kthesë të fortë ishin mbuluar nga lulet rozë që nuk ua di emrin, po që në jug i quajnë lule Borshi, çka tregon më së miri se ne si popull krasitjen se kemi fort për zemër edhe kjo përfshin dhe krasitjen e mëndjes. Të gjithë ata që më njohin mirë e dinë sa njeri apartiak jam unë, ndaj ky status nuk ka asnjë lloj ngarkese emocionale. Përsa i përket fushatës vlerësim për PD dhe stafin që solli një fushatë qytetare përkundër gjuhës bulliste të përsëritur nga Edi Rama dhe disa syresh të tjerë. Patjetër që do duhej të kishte në parlament shumë më shumë të zgjedhur nga partitë e vogla se siç thotë populli; Uji i ndenjur qelbet, megjithatë “sovrani” vendos… Sigurisht nuk besoj se ka ndonjë që e gënjen mëndja se Shqipëria do të jetë në Bashkimin Europian si pjesë e tij në 2030, pas 2035 ndoshta. Këtë vit kisha shumë miq që kandidonin dhe vlenin të ishin në atë sallë, unë kisha vetëm një votë dhe atë ia dhashë vetëm një personi e një partie. Nuk do bëj lojën e poshtër që tu them të gjithëve se ua dhashë votën të gjithëve. Qëndra e votimit këtë vit mu duk më e qetë dhe anëtarët e komisionit ishin të rinj dhe të komunikueshëm. Meqë kisha marrë tim bir me vete e ula në një karrige vëzhguesish gjatë kohës që votova. Nuk ndenja pa e vënë re se një djalë i ri shkoi pranë tij dhe luajti me të duke u munduar të bëj prestigjatorin. Kjo më gëzoi pa masë, sepse ka gjithmonë shpresë kur njerëzit e rritur i vënë re fëmijët, çka nuk ndodh rëndom nëpër atdhe.
Në mbyllje, më pëlqeu shumë gara e çiklizmit “Giro d’Italia” që u zhvillua nëpër atdhe. Ajo thjeshtë ripërsëriti mendimin se “Shqipëria nuk bëhet, Shqipëria është.”