Një efektiv i policisë raportohet se është shpallur në kërim pasi ka qëlluar me armë në ajër, mbrëmjen e somte në fshatin Pilafe të Peshkopisë.
Polici i identifikuar dhe shpallur në kërkim është Esat Gjura, i cili dyshohet ka qëlluar me armë zjarri.
Incidenti ka ndodhur pasi janë përplasur me demokratët Xhelal Mziun dhe Xhemal Gjunkshin, teksa këta të fundit kanë bllokuar një makinë me pretendimin se shpërndanin para në këmbim të votave.
Po ashtu në kërkim është shpallur dhe një person tjetër. Mësohet se Gjura është babai i kandidatit të Partisë Socialiste, Daniel Gjura.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.
Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit.