7 për qind e popullatës vuan nga astma, një sëmundje kronike inflamatore e rrugëve të frymëmarrjes, e lidhur ngushtë me alergjinë. Fatkeqësisht, më të prekurit janë fëmijët.
“Rritja është evidente, e frikshme. 1 në 4 fëmijë është i konfirmuar që vuan nga sëmundje alergjike, kur dihet se te fëmijët e vegjël, astma është sëmundja kryesore. Në adoleshencë, shumica e tyre qetësohen; në moshën adulte ajo rishfaqet përsëri, ndërsa te të rriturit stabilizohet si sëmundje ”, tha Prof. Mehmet Hoxha.
Prof. Hoxha thotë se ndryshe nga më parë, kur shkaqet lidheshin me alergjenë të caktuar, sot gjithnjë e më shumë akuzohet ndotja ambientale.
“Sëmundjet alergjike tani konsiderohen të provokuara nga ambienti. Ndotja atmosferike ndikon shumë, po ashtu edhe virozat ndikojnë ndjeshëm”, tha mjeku.
Jo rrallë astma ngatërrohet me virozat dhe bronkiolitet e zgjatura, por profesori sqaron se kur duhet bërë kujdes:
“Është e domosdoshme që një fëmijë që ka episode të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje, kollës, shtrëngimit në gjoks, ngjirjes së zërit, apo një fëmijë me dermatite alergjike të përsëritura, patjetër duhet të vlerësohet për probleme alergjike”, shpjegon mjeku.
Mjeku thekson se terapia duhet të jetë mbajtëse dhe jo vetëm në momentet kur sëmundja përkeqësohet.
“Pompat nuk janë ajo frika e dikurshme, por fatkeqësisht i përdorin vetëm kur kanë krizë. Sot ato duhet të përdoren si mjekim mbajtës”, këshillon mjeku.
Astma mund të kontrollohet dhe individët që e vuajnë mund të bëjnë një jetë aktive falë terapisë.