Tiranë 28 prill 2025. Kandidatja për zgjedhjet e 11 majit në Tiranë, Taulanda Jupi, ka publikuar sot në faqen e saj zyrtare në Facebook një opinion editorial të titulluar “SPAK foli, në 11 maj flet Shqipëria”, ku shpalos mesazhin e saj të fortë për drejtësinë, përgjegjësinë qytetare dhe të ardhmen e vendit.
Në këtë shkrim, Jupi thekson se pas dekadash pritjeje dhe zhgënjimesh, qytetarët më në fund po shohin shenja reale të drejtësisë falë punës së SPAK. “SPAK e bëri të vetën. E tregoi se drejtësia është e mundur edhe në Shqipëri,” shkruan ajo, duke përgëzuar arrestimet e figurave të larta publike dhe dëshminë se askush nuk është mbi ligjin.
Sipas Jupit, momenti aktual nuk është thjesht një përballje politike, por një referendum historik për drejtësinë dhe qeverisjen e ndershme. Ajo nënvizon se:
“Tani fjala është e qytetarëve. Është momenti që shqiptarët të tregojnë se duan që SPAK të vazhdojë punën i pashqetësuar dhe i pakërcënuar nga politika e korruptuar.”
Duke u bërë thirrje shqiptarëve për një angazhim të vendosur, ajo shkruan:
“Tranzicioni i gjatë, 34-vjeçar, i korrupsionit dhe i keqqeverisjes duhet të marrë fund. Kemi përgjegjësinë historike të ndërtojmë një epokë të re, të guximit, të ligjit dhe të respektit për punën dhe sakrificën.”
Në përmbyllje, Taulanda Jupi i fton qytetarët të zgjedhin midis së shkuarës së mbushur me korrupsion dhe një të ardhmeje të ndërtuar mbi punë, barazi dhe shpresë:
“Historia nuk pret. Dhe as drejtësia.”