Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj merr një tjetër goditje nga gjykata. Një ditë pasi u la në burg duke iu refuzuar kërkesa për liri, Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për heqjen e sekuestros së celularit. Erion Veliaj ndodhet në qeli për më shumë se 2 muaj nën hetim për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 24.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 107, datë 18.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 132 akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për vleftësimin e sekuestros”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit 132 Akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij” njofton gjykata.