Papa vdiq, Rroftë Papa dhe të paprekshmit e Tiranës – MORDECAI

spot_img

Mordecai

Papa Francesku vdiq në Itali më 21 prill, mu në mes të fushatës së shqiptarëve për të zgjedhur apo rizgjedhur një lider të ri për vete. Një punë e kotë, sepse shqiptarët kanë shumë kohë që nuk dëshirojnë ndonjë lider të ri, madje edhe ata që kanë, u përngjajnë siluetave pas fletës së pestë të karbonit në makinë të shkrimit.
Papa ndërroi jetë bashkë me mirësitë dhe pengjet e tij, dhe tani po jep llogari para Shën Pjetrit, i shoqëruar nga engjëjt e Atit, ndërsa në bregun e Adriatikut përballë mëkatarët djallëzorë po fitojnë pikë edhe me largimin e tij pa ndonjë llogaridhënie. Biri i Zotit nuk pati fëmijë, por iu lut dhe i shërbeu gjithë jetën e vet tokësore Birit të Zotit dhe bijve e bijave të të gjithëve.
Ndërsa në Tiranë një mëkatar 60 e kusur vjeç i numëron mëkatet një mëkatari 80 e kusur vjeç, të dy pa din e pa iman. Ndërsa ky i dyti, i ardhur direkt prej fondeve më okulte të bodrumeve ogurzeza, e shpall atë tjetrin Antikrisht, pikërisht në derë të urimeve për Pashkët.
Çfarë mjerimi të shohësh këta dy kllounë mëkatarë, kumbarë, bij dhe liderë mëkatarësh, tek përplasin me tallje mbi kokat e shqiptarëve goglat e djallit dhe rrotullojnë mandatet e të paprekshmëve nëpër duar.
Teksa ata mbretërojnë me hirin e gjoja-liderëve të gjoja-demokracisë, në Vatikan janë ndërruar disa Papë, edhe pse mandatet papnore janë të lidhura me fundin e jetës. Në selitë e dy partive të mëdha në Tiranë nuk ka oxhak nga mund të pritet ndonjë fjollë tymi e bardhë. Nuk ka as konklavë, as meritokraci, madje nuk konkurrencë fare, as para as pas largimit.
Gjithçka është e shuar në izolim dhe fikje mjerane në ato seli të rrëmbyera me dhunë apo me korrupsion, ku ka humbur edhe shpresën më të fundit edhe çdo rival që shumë shumë vite më parë ka pas ëndërruar që mund të ketë ndonjë demokraci të brendshme për t’u zgjedhur më i miri, qoftë edhe si pasues i paprekshmit. Harroje që ndokush mund të vijë në ato dy shpella hajnish me ide të reja, platformë konkurruese dhe reforma demokratike bazuar në cilësi meritokracie.
Edhe në Vatikanin e shenjtëruar ka demokraci, por jo tek ne. Edhe në Vatikanin e ndritshëm nga dituria e shekujve ka meritokraci zgjidhet më i miri shërbëtor i Zotit. Por jo në Tiranë, ku shërbëtorët e dreqit shkelin çdo këshillë të shenjtë, çdo mësim për mëshirë, paqe, dashuri dhe kulturë njerëzore.
Papa Francesku i sapozgjedhur, vizitën e parë jashtë Vatikanit e bëri në Shqipëri, dhe rrugët u mbushën plot foto martirësh të fesë kristiane, të gjithë të vrarë, torturuar e burgosur nga regjimi komunist, bijtë dhe bijat e të cilit qeverisin sot e 30 vjet Shqipërinë. Askush nuk ka kërkuar ndjesë për ato krime, askush nuk tha më fal për dhimbjet fizike, që i shkaktoi atyre shërbëtorëve të Zotit, sivëllezërve të Papa Franceskut.
Sa fjalime me mustaqe e pa mustaqe u mbajtën atë ditë nga vendasit, ndërsa Papa, ky Papë që sot ndërroi jetë, dha mesazhe të mrekullueshme, që askush sot nuk i kujton, e jo më të nxirrte mësime. Asgjë nuk ka ndryshuar në llumin e zi komunist, ku është zhytur Shqipëria, qysh nga koha kur Papa Francesku e vizitoi Tiranën. Aq më pak ka ndryshuar asgjë nga koha kur Tiranën e vizitoi Papa Gjon Pali II.
Shqipëria është po njësoj, qysh nga koha kur biri i dreqit shembi kisha e xhamia dhe vrau e burgosi në tortura priftërinj e hoxhallarë, madje ndaloi me ligj besimin në Zot. Ligj kundër Zotit kemi bërë vetëm ne, dhe mallkimi që na ndjek ka lidhje çeliku me këtë mëkat të pafalshëm dhe të pakundgjendshëm. Papët lodhen kot me ne; të njëjtët djaj me dekada mandatesh e mëkatesh në shpinë i presin këta shenjtorë në aeroportin, i cili, për ironinë e ne të gjithëve, mban emrin e shenjtores shqiptare Gonxhe Bojaxhiu. Nesër në mëngjes prapë në symsy vetëm me njërin e vetëpërhënur, dhe nga ana tjetër prapë vetëm në izolimin madhështor e vetëhirnosur; mjeranë arrogantë, profetë të rremë, që paditen nga një rreze dielli.

Latest articles

Related articles