nga Sebastian Zonja
Strategjia e presidentit amerikan Donald Tramp për negociatat me Iranin, sa i përket programit të tij bërthamor, është shumë interesante. Ai po lëviz në fije të perit me një ndër lobet më të fuqishme në SHBA, lobin hebre.
Në një krah kemi deklaratat e shefit të Zyrës Ovale që kënaqin krahun radikal sa i përket luftës në Gaza, në krahun tjetër shtron linjën direkte për bisedime me Tehranin.
Këtë të premte, iranianët kërkuan ndihmë nga Moska sa i përket bisedimeve me amerikanët. Në krahun tjetër, sipas medieve amerikane, dy zyrtarë të lartë izraelitë u takuan me amerikanët në Paris për të folur mbi këto negociata që pritet të vijojnë në Romë.
Për ta sjellë në vëmendje të publikut, duhet të themi se njëri nga komisionet për të cilin po bisedojnë amerikanët dhe rusët në Arabinë Saudite ka të bëjë pikërisht me këtë temë.
Nëse do ta shihnim me një sy tjetër këtë që po ndodh, kuptojmë se teoritë e konspiracionit se Amerika udhëhiqet nga interesat e lobimit, bien poshtë. Interesat strategjike amerikane, aktualisht, janë të tjera dhe, sado të fuqishme të jenë lobimet, mbizotëron interesi kombëtar përballë atij të aleatëve, sado të ngushtë qofshin.
Imperativët gjeopolitikë përballë shpjegimeve konspirative
“JCPOA” ishte marrëveshja e nënshkruar nga administrata e presidentit Barak Obama, në vitin 2015, nga Irani me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, e cila synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë, presidenti Tramp u tërhoq nga marrëveshja për të shkuar drejt strategjisë së “presionit maksimal”, siç e cilësoi ai. Edhe asokohe, një linjë e gjerë mbështetësish e panë nën optikën e konspiracionit të lobeve, ndërkohë, në një fushëpamje tjetër vërejmë se mbështetja e Iranit ndaj grupimeve si Hezbollahu, Hamasi dhe Houthit po kërcënonte aleatët e SHBA-së, veçanërisht Izraelin dhe Arabinë Saudite. Tërheqja e 2018-ës kishte si synim izolimin ekonomik të Iranit, duke zvogëluar aftësinë e tij për të financuar këto grupe. Sanksionet dobësuan ekonominë e Iranit – u rrit inflacioni dhe Riali (monedha iraniane) ra – duke e shtyrë Iranin drejt tavolinës së negociatave, me kërku lehtësim sa më të madh sanksionesh.
Në këtë situatë, SHBA-ja i dha përparësi aleancave me Izraelin dhe Arabinë Saudite, të cilët e shohin programin bërthamor të Iranit si kërcënim strategjik, ndërsa u investua në Marrëveshjet Abrahamike.
Përgjatë këtyre viteve kemi parë dobësimin e krahëve iranianë në rajon (në Siri, Liban dhe Gaza) nga fuqia shtetërore izraelite. Kjo reflekton ndikimin e Izraelit si aleat kyç i SHBA-së në rajon.
Bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga Omani, të cilat ishin bilaterale, duke lënë jashtë fuqitë evropiane (Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar), Rusinë dhe Kinën, sjellin një pamje interesante, ndërsa vënë në qendër të vëmendjes kontrollin që SHBA-të kërkojnë të kenë mbi rezultatin përfundimtar.
Për të shkuar në këtë pikë, presidenti vendosi një afat dy-mujor, njoftuar në prill, ndërsa kërcënoi me veprime ushtarake nëse bisedimet dështonin (aeroplanmbajtëse, bombardues B-2 e të tjerë u afruan në rajon për të ushtruar presion mbi Iranin. Kjo është taktikë klasike e Fuqive të Mëdha).
Aktualisht, diskutimet e Iranit me Rusinë dhe Kinën në Moskë për të koordinuar programin e tij bërthamor pasqyrojnë rivalitetin e Fuqive të Mëdha, ndërsa këto shtete po mundohen të kundërbalancojnë ndikimin e SHBA-së. Ky koordinim nënvizon konkurencën e aleancave strategjike, ndërsa shtetet vijojnë të mbeten aktorët kyç në rendin ndërkombëtar.