Në Francë kanë vendosur që të ndalojnë nxënësit e shkollave të mesme të përdorin telefonat e tyre.
Ky është propozimi që vjen nga Ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, në të cilin thuhet se nxënësit e moshave nga 11 deri në 15 vjeç do t’u ndalohet rreptësisht përdorimi i aparateve celularë, duke i detyruar ata që këto pajisje t’i kyçin në një dollap të posaçëm, e për t’i rimarrë ato sërish pas përfundimit të mësimit.
Ideja e cila do të zbatohet duke nisur që në muajin shtator, bëhet me qëllim për t’i larguar këta të rinj nga aksesi i tepruar në rrjete sociale dhe për t’u fokusuar plotësisht në ndjekjen e rregullt të mësimeve.
“Një masë e tillë shihet si thelbësore për të ruajtur mirëqenien dhe garantuar suksesin e fëmijëve tanë në shkollë”, shprehet ministrja franceze Borne.
Më herët, Franca zbatoi të njëjtin propozim në vitin 2018, për nxënësit e kolegjeve duke i shkëputur ata prej telefonave inteligjentë. I vetmi ndryshim ishte se këta fëmijë mund t’i fiknin telefonat e tyre dhe t’i mbanin në çantë për të vazhduar me procesin mësimor, teksa këtë herë parashikohet një shtrëngim masash më i ashpër për t’i larguar akoma dhe më shumë nxënësit nga këto pajisje.
Qeveria u shpreh se nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë më shumë në mënyrë që fëmijët të ishin më të përqëndruar në mësime, do ta ndjekin me shumë interes këtë propozim.
Telefonat momentalisht në Francë janë të ndaluar plotësisht vetëm në shkollat fillore, teksa në muajt në vazhdim, kjo ndalesë do të zgjerohet masivisht dhe në shkollat e mesme.
Ministrja Borne tha gjithashtu se kjo ide u mbështet edhe nga prindërit dhe mësuesit që kërkojnë më shumë kujdes për t’i trajtuar nxënësit, për t’i mbajtur kështu sa më larg rrjeteve sociale që bëhen faktor shpërqendrimi.