Qeveria ka pranuar se në Shqipëri kanë hyrë pajisje që janë të afta të përgjojnë shqiptarët.
Prej ditësh u dha alarmi se në vend kanë hyrë pajisje DPI, të cilat janë instaluar pranë kompanive të internetit dhe atyre celulare dhe falë tyre organet shtetërore mund të shohin çdo gjë që bën një qytetar duke u futur në internet.
Por ka pasur vetëm heshtje dhe reagimi erdhi sot, në një televizion pranë qeverisë. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit, Igli Tafa, edhe pse është spërdredhur duke dashur të thotë se ato janë vetëm për të bllokuar Tik Tok dhe jo për përgjim, ka pranuar se instalimi është bërë.
ASKS ka pranuar se janë vendosur 7 pajisje DPI në dy kompanitë celulare në vend dhe te 5 kompani interneti. Dhe Tafa rrëzohet nga vartësi i tij.
“Aktualisht shikohet identifikimi i paketave që aksesojnë TikTok dhe bëjnë më pas bllokimin”, tha Adriano Lleshi, drejtor i Analizës së Sigurisë Kibernetike, ASKS.
Pra ky i fundit e pranon se ata kontrollojnë trafikun në internet. Pavarësisht se pajisja mund të përdoret për të identifikuar ata që përdorin TikTok, ASKS mund të shohë çdo gjë që bëjmë ne në një celular apo kompjuter. Sot të gjithë janë të pajisur me smartphone, ku janë të lidhur me internet dhe kjo do të thotë se çdo aktivitet që ne bëjmë shihet.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ai që e denoncoi i pari skandalin, Besmir Semanaj, duke rrëzuar ASKS.
“Falënderoj ASKS (Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike) që, dy javë pas denoncimit tim publik, konfirmoi instalimin e DPI pranë ISP-ve. Në orët në vijim do të flasim për detajet dhe absurdin e deklaratave të tyre. Shumë nuk më besuan kur bëra denoncimin, por duhet ta dini që asnjëherë nuk kam folur pa fakte”, shkruan ai.
Ndërkohë më poshtë po tregojmë se çfarë është DPI dhe si mashtron ASKS:
DPI (Deep Packet Inspection) është një teknologji që u lejon ofruesve të internetit (ISP) ose autoriteteve të inspektojnë në mënyrë të detajuar përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër rrjetet e internetit. Ndryshe nga inspektimi i thjeshtë i “header-it” të një pakete, DPI shikon edhe përmbajtjen reale, që do të thotë: Mund të dallojë llojin e trafikut (video, tekst, aplikacion i caktuar si TikTok, VPN etj). Mund të bllokojë, ridrejtojë ose modifikojë trafikun në kohë reale. Mund të monitorojë sjelljen e përdoruesve në internet në nivel shumë të detajuar.
Pse përdoret DPI?
DPI mund të përdoret për qëllime dashamirëse si një mjet sigurie në rrjet për të zbuluar dhe përgjuar viruse, spyware dhe forma të tjera të trafikut keqdashës dhe përpjekjeve për ndërhyrje. Por mund të përdoret gjithashtu për aktivitete më të liga, si përgjimi dhe censura e sponsorizuar nga shteti dhe mbikëqyrje masive, që është shqetësuese nga aspekti i të drejtave të njeriut.



