Provincializmi – Nga Dashnor Kokonozi

spot_img

Kam përshtypjen se mendësia e provincialëve është një nga handikapët e mëdha të shoqërisë shqiptare, për të cilën thuajse nuk flitet. Ka të ngjarë që arsyeja të jetë etike, ose e supozuar e tillë. Ka një lloj ngurrimi për ta denoncuar sepse padrejtësisht ajo lidhet apo lihet të nënkuptohet sikur është pjesë e mendësisë së njerëzve që vijnë nga provincat e vendit, që nuk janë rritur dhe edukuar në kryeqytetin e vendit apo në qendrat e tij të mëdha kulturore.

Dhe, meqë sot, për arsye të njohura ata përbëjnë një numër të rëndësishëm të popullsisë së qyteteve të mëdha, duket sikur sociologët e analistët e evoluimit social kanë adoptuar stilin e lashtë të banorëve autoktonë që me urtësinë e sqimën e tyre të njohur u kalojnë anash këtyre problemeve me idenë se kemi parë edhe të tjera valë si këto që do të treten e shuhen në gjirin tonë. Kjo është e vërtetë, por gjithnjë në këto fenomene ka një proces marrëdhëniesh reciproke. Që jo gjithmonë ndihmojnë progresin social.

Kujtoj gjithnjë furrëpjekësin e lagjes sime, Bimin, që me atë urtësinë e mirësinë e tij, në valën më të egër të shtypjes, u thoshte “urdhnoni zonjë”, “të priftë e mbara zotni”, të gjithë atyre që hynin e dilnin në dyqanin e tij. Kujtoj po ashtu një individ që iu vërsul duke synuar të “edukonte” Bimin duke i rrafshuar thelbin e esencës së tij dhe kurrë nuk do të kuptonte se ai njeri i thjeshtë e i ngadaltë në një fare mënyrë përfaqësonte qytetarinë shekullore të Shqipërisë së thellë.
Shpesh, provinciali i lejon vetes të bëjë gjëra që nuk do t’i bënte në provincën e tij.
Rrotull pronave të familjes sime, kujtoj mjaft toka, pyje, çajre e mera, ku nuk hynte e nuk i prekte kush “sepse ishin të filanit”, që mbase kishte një shekull që kishte vdekur pa lënë njëri pas. Provoni të gjeni sot!
Ata erdhën dhe këtë e kanë bërë edhe në tokat e familjes sime.

Fenomeni i mendësisë provinciale është prekur edhe nga figura të tilla si Kadareja. Nuk e kujtoj në një ese apo bisedë, ai thotë se dikush që është rritur në një kullë me dritare të ngushta, ai gjithsesi nuk mund të ketë një vështrim të gjerë për botën.
Vlerësoj së tepërmi aftësinë e tij për t’ju qasur problemeve të tilla. Ishte i vetmi që mund ta bënte, por kam përshtypjen, duke mos i hequr asnjë presje ideve të tij, se mund të diskutohet për rastin e këtij shembulli. Këtu sjell ndërmend kujtimet e një ushtaraku anglez gjatë L2B që përshkruan bisedat nëpër kullat e malësoreve shqiptarë dhe shprehet me admirim për aftësinë e tyre për të kuptuar konjukturat që vinin në lëvizje politikën botërore. E diku, ai thotë se mësoi shumë prej tyre rreth politikës botërore. Më vonë ky njeri do të jetë ministër i Jashtëm i Anglisë. Gjithnjë nga sa ruaj në kujtesë.
Mendësia provinciale është e lidhur me provincën si njësi gjeografike, po nuk ka të bëjë me të. Ose jo vetëm me të.
Provincializmi e thellon provincializmin duke synuar të mos duket i tillë. Dhe kur të tjerë përmendin çizmet me baltë të mendësisë provinciale, unë më fort shoh si të tillë disa lloj kollaresh të lidhura fort në grykë dhe një numër marramendës kostumesh “firmato” që ulërinë e protestojnë me dhimbje nga sikleti që ndjejnë mbi trupat e shqetësuara të cilëve kanë për mision t’u mbulojnë provincializmin.
Shembulli më tragjik i agait të provincës e kemi mu në zemër të kryeqytetit. Dikur Tirana kishte tiparet e një qyteti të këndshëm mesdhetar, me konotacion të trashëguar otoman, por që bashkëjetonin këndshëm, duke ndarë pasionin për kopshtet e bukura, havllitë e mbuluara nga pjergullat, portokallet.
Natyrisht, ajo nuk do të rrinte përjetësisht e tillë. Por si atëherë, kur teoria marksiste ra në duar e marksistëve provincialë dhe ata i katandisën fshatarët të zbresin në qytet për të blerë presh e sallatë, sot pushtetari mendjengushtë që e cilëson një vend të tërë si çiflig i lejon lehtësisht vetes të drejtën t’i imponojë qytetit shijet e tij të gjymta. Me përjashtin të pak zonave të trashëguara, Tirana sot është një qytet i shëmtuar, plot pluhur, çrregullsi e kakofoni urbane, qytet që nuk arrin të respekton as planimetrinë urbane të qyteteve të sumerianë 8000 vjet më parë, që të merr frymën e të ngjall ankth.

Një provincial merr me vete të gjithë katundin e tij, në mos fizikisht, mendërisht. Por edhe zakone të tjera. Një shtëpi e izoluar në fshat të ofron komoditetin e “privacy-së” dhe f.v.j. një një grua mund t’i lejojë vetes të dalë në ballkon e të presë thonjtë. Kur burri i saj “zapton” tokë në qytet e ndërton aty pallatin e tij, ajo deri në fund të jetës së saj do dalë t’i presë thonjtë mbi kokat e kalimtarëve, në ballkonin e saj qytetar (se sapo më ndodhi tani, tek po nxitoja t’i afrohesha shtëpisë sime).

Njerëzit e tij besnikë, provinciali i sheh vetëm rrotull provincës së tij. Kjo shkaktoi dëme të pallogaritshme edhe në jetën politike, duke lënë të nënkuptohet f.v.j. edhe sot sikur Partia Demokratike u përket kryesisht veriorëve dhe ajo e majta jugorëve. Gjë që e ka sabotuar në mënyrë të pandreqshme jetën politike shqiptare sa përjetësisht ajo do të perceptohet si një luftë e pabesë klanesh e provincash.
Me vjen mirë që kohë më parë lexova një roman të shkëlqyer të Liridon Mulës për këtë temë, një shpresë se tematika e mendësisë së provincës, nuk do të cilësohet gjatë si tabu.
Por kujtoj po ashtu se tipi letrar i provincialit është trajtuar në një ese të Rexhep Qoses, te libri i tij (më i miri, për mua) Panteoni i rralluar. Nga të paktat ese filozofike e estetike që ka dalë nga një penë shqiptare.

Latest articles

Related articles