NJOFTIM PËR MEDIAT
20 mars, 2025. Në një takim me qytetarët e Njësisë nr. 11 në Laprakë, udhëheqësi i Koalicionit Euroatlantik, z. Lulzim Basha, prezantoi zyrtarisht kandidaturën e znj. Taulanda Jupi për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Gjatë fjalës së tij, z. Basha vlerësoi profilin profesional, integritetin dhe angazhimin shoqëror të znj. Jupi, duke theksuar se ajo përfaqëson një brez të ri politik, të pajisur me dije, vizion dhe vlera europerëndimore.
Znj. Taulanda Jupi, pedagoge dhe zë i njohur në fushën e arsimit dhe kulturës, u rikthye në vendlindjen e saj, Laprakë, për të ndarë me qytetarët një vizion të ri për ndryshim dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme me dinjitet, mundësi dhe drejtësi. Ajo shprehu vendosmërinë për t’i dhënë zë shqetësimeve reale të komunitetit dhe për të kontribuar në një politikë më të ndershme dhe më pranë njerëzve.
Ky prezantim shënon hapin e parë në një fushatë që synon të afrojë më shumë qytetarët me procesin demokratik dhe të rikthejë besimin te politika si shërbim publik.