Parlamenti i Hungarisë ka miratuar ndalimin e paradave vjetore të Krenarisë që mbrojnë të drejtat LGBTQ, duke forcuar më tej kufizimet në shprehjen e identitetit jo-heteroseksual në publik.
Ligjvënësit miratuan sot propozimin në një seancë urgjente, me 137 vota pro dhe 27 kundër në parlamentin prej 199 anëtarësh. Masa u prezantua nga qeveria populiste e krahut të djathtë të kryeministrit, Viktor Orban.
Votimi shkaktoi protesta brenda dhomës, ku kundërshtarët e ligjit ndezën bomba tymuese gjatë shpalljes së rezultatit.
Orban kishte sinjalizuar tashmë goditjen në një fjalim të shkurtit, duke paralajmëruar organizatorët e Krenarisë se përgatitja për paradën e këtij viti do të ishte një humbje kohe dhe parash.
Për disa dekada, në Budapest është mbajtur një paradë krenarie, zakonisht në korrik.
Sipas ligjit të ri, organizimi ose pjesëmarrja në një paradë të ndaluar në vendin e BE-së do të klasifikohet si një kundërvajtje administrative e dënueshme me gjobë deri në 200,000 forintë (545 dollarë).
Si organizatorët ashtu edhe pjesëmarrësit mund të përballen me ndëshkime. Autoritetet po planifikojnë të përdorin teknologjinë e njohjes së fytyrës për të identifikuar shkelësit.
Masa ndryshoi Aktin e Kuvendit të Hungarisë për të ndaluar grumbullimet që shkelin të ashtuquajturin Akt të Mbrojtjes së Fëmijëve të vendit.