Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Pirro Vengu, ai i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe homologu kroat Ivan Anushi nënshkruan sot memorandumin trilateral në fushën e mbrojtjes.
Ky memorandum tripalësh synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci ka theksuar se kjo marrëveshje është finalizim i përpjekjes që çoi në prodhimin e një deklarate tripalëshe që i hap rrugë bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është një kërcënim ndaj askujt, por është një mesazh për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, mes vendeve tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Ne jemi bashkuar për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit”, deklaroi Maqedonci.
Sipas Maqedoncit, rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në aspektet të tjera, veçanërisht në atë industrisë së mbrojtjes, trajnimit, edukimit të personelit ushtarak, ndërsa adreson edhe çështjen e mbështetjes së dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, ka theksuar se “ky dokument hap rrugë edhe për bashkëpunime të ndryshme, në fusha të ndryshme, për t’u përballur me kërcënimet moderne siç janë ato hibride”.
“E vlerësoj këtë marrëveshje si një angazhim të përbashkët, që ndodh jo shpesh në rajon. Kemi një deklaratë ndër të parat që është bërë në fushën trilaterale dhe që hap rrugë për vende të tjera që t’i bashkëngjiten kësaj nisme për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”, ka thënë ai.
Memorandumi i nënshkruar mes tre vendeve ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike, ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.