nga Prof. Taulanda Jupi
Projekti i autostradës Thumanë-Kashar është kthyer në simbol të një modeli ekonomik bazuar mbi koncesionet e paarsyeshme dhe favorizimin e interesave të një pakice njerzish të në dëm të taksapaguesve shqiptarë. Ky është një rast i qartë i abuzimit me paratë publike, ku një projekt që mund të ndërtohej me një kosto shumë më të ulët, u fry me shuma marramendëse për të përfituar një grusht individësh pranë pushtetit.
Kostoja prej mbi 1.3 miliardë eurosh që do të rëndojë mbi qytetarët shqiptarë. Taksat dhe tarifat e kalimit, si ajo prej rreth 5 eurosh për vajtje-ardhje, krijojnë një tjetër barrë për qytetarët e zakonshëm, duke i bërë të paguajnë për luksin dhe korrupsionin e një sistemi të kapur. Kjo është një plagë e hapur për ekonominë dhe drejtësinë sociale, ku privilegjet e një pakice të lidhur me qeverinë por edhe me segmente të opozitës mbeten mbi supet e qytetarëve.
Që një ndryshim i vërtetë të ndodhë, është e nevojshme që qytetarët të kërkojnë llogaridhënie, jo vetëm nga qeveria dhe të gjitha institucionet që duhet të garantojnë transparencë dhe drejtësi.
Kjo kërkon një mobilizim të qëndrueshëm të të gjithë shoqërisë dhe një presion të vazhdueshëm për të ndaluar shpërdorimin e pasurive publike dhe për të çuar përpara reforma të thella që eliminojnë kulturën e korrupsionit dhe oligarkisë.
Një model i ri ekonomik që hap rrugë për konkurrencë të ndershme dhe krijon mundësi për të gjithë është themelor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për një shoqëri më të drejtë, kjo është ajo që i duhet sot Shqipërisë.



