Pushteti absolut, ambicia që po i kthen politikanët në diktatorë dhe vrasës ordinerë!

nga Spartak Ngjela

Kur një individ i pasur dyshon për këdo që i afrohet, sepse mendon që ky person kërkon ta mashtrojë, dhe për këtë dyshim nuk ka asnjë provë, e dini ngase i vjen dyshimi?
I vjen nga vetvetja, sepse ky dyshim pa një shkak tregon që ai vetë është mashtrues. Mashtruesi nuk beson askënd, ai vetë është pjellë e mashtrimit.

Njeriu i mençur dhe i ditur njëherësh, nuk e fyen kurrë tjetrin që është një individ i moralshëm dhe jo shumë i ditur; sepse ky e di shumë mirë se çfar do të thotë personalitet i njeriut të moralshëm.

Një pushtetar që kërkon pushtet absolut, është me psikikë primitive. Ai do pushtet se kërkon të sundojë dhe sundimi i jep lumturinë. Ky në fakt është modeli i diktatorit të dhunshëm. Dhe shpesh është një vrasës ordiner që fshihet pas forcës së pushtetit politik.

Një artist ose një shkrimtar i talentuar që ka popullaritet absolut, dhe jeton në një diktaturë, është armiku kryesor i diktatorit. Dhe diktatori gjithmonë ka në brendisinë e mendimit të tij këtë varg:
Ta vras a mos ta vras kjo është çështja?!
Po populli që e do!
Dhe kjo është edhe më e rëndë për diktatorin. Prandaj gjeniu shpesh ka mbijetuar.

Midis të diturit dhe injorantit ka armiqësi të thellë mes tyre, nëse këta janë konkurrentë në një çështje fitimi, pushteti apo fame.
Por shpesh ka fituar injoranti.
Dhe, e dini ku?
Atje ku injoranca është shumicë.
Po demokracia?
Për këtë duhet ta mendoni thellë gjykimin e mësipërm.

Latest articles

Related articles