Mesazhet e të dërguarit të SHBA, cilat janë dosjet që pritet të hapen gjatë 2025-ës?

I dërguari i SHBA Alexander Kasanof, duket se i ka futur të dridhurat klasës politike shqiptare.

Teksa SPAK po përballet me shumë presione, ai vendosi të vijë në Tiranë për t’ua bërë të qartë të gjithëve se ky organ është nën patronazhin e tyre. Ndërkohë dje te VOA ai foli pastër dhe qartë, duke deklaruar se nuk do të ketë shpëtim për këdo që ka futur duart në xhepat e shqiptarëve.

Tek SPAK, u sigurova që të flisja për mbështetjen e vazhduar dhe shumë të fortë për punën e atij institucioni. Është për t’u theksuar se në takimet e mia publike dhe private, fola për rëndësinë që ka sundimi i ligjit dhe se asnjë burrë a grua nuk është mbi ligjin dhe se çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku çojnë provat dhe kjo është diçka që e mbështesim jo vetëm si proces, por edhe si një radhë faktesh në terren që ndihmojnë për të luftuar korrupsionin dhe çrrënjosur krimin e organizuar, një përpjekje që Shqipëria po e kalon dhe që e kanë kaluar edhe vende të tjera, përfshi vendin tim, dhe një përpjekje që duhet ta fitojmë dhe prandaj është me rëndësi ta shohim suksesin e SPAK-ut”, tha Alexander Kasanof.

Por kush duhet të trembet nga mesazhi i tij dhe cilat janë dosjet nga të cilat priten zhvillime gjatë 2025-ës?

I pari është Sali Berisha. Kreu demokrat mori shumë hov pas fitores së Trump, duke festuar përditë. Sipas Berishës, tani morën fund hallet dhe atij do t’i hiqet “non grata”. Por Alexander Kasanof ja bëri të qartë se nuk do ta ketë aq të lehtë.

Berisha përveç dosjes “Partizani” ka dhe hesape të tjera të palara me drejtësinë. Frika më e madh e tij është Gërdeci. SPAK po heton trafikun e fishekëve dhe në shumë dëshmi del emri i Shkëlzenit. Pikërisht Berisha hallin e tij ka, pasi vetë e di se nuk ka moshë për burg.

Mos harrojmë pastaj dhe disa padi të tjera që janë bërë ndaj tij si për shembull nga familja Haklaj. Po ashtu mund të ketë zhvillime edhe mbi privatizimin e OSSH nga CEZ.

Padyshim frikë duhet të ketë edhe Edi Rama. Janë dy dosje që e terrorizojnë kryeministrin. E para është dosja “McGonigal”. Amerikanët nuk ja falin atë aferë dhe Rama prandaj e donte fitoren e Trump. Dosja e dytë është ajo e Xibrakës. Aty del Olsi dhe Rama prandaj po ushtron presion ndaj SPAK.

Kemi dy ish-ministre të Ramës që rrezikojnë burgun dhe priten zhvillime nga SPAK. E para është Olta Xhaçka. Ish-ministrja e Mbrojtjes është nën hetim për aferat me pronat e ushtrisë, sidomos për privatizimin e portit në Sarandës. Hetimet vijojnë prej shumë muajsh dhe Rama prandaj nuk ja heq mandatin sepse ka frikën e një mase sigurie. Sinjalet janë se SPAK e ka kopsitur dosjen dhe nuk është çudi që Olta të shkojë për gjykim.

Emri tjetër është Frida Krifca. Kur ishte në krye të AZHBR, Krifca duket se përlau fondet e IPARD dhe BE nuk e fal. Për shkak të vjedhjes së fondeve, Beqaj sot është në burg. SPAK ka avancuar me hetimet dhe priten zhvillime.

Të rrezikuar janë shumë gjyqtarë dhe prokurorë. SPAK pritet të kryejë një aksion të ngjashëm me atë të Elbasanit, ku u godit banda e Suel Çelës. Janë ne qindra gjyqtarë dhe prokurorë që dalin te përgjimet e “Sky ECC” dhe priten zhvillime.

Nuk përjashtohen telashe të tjera për Ilir Metën. SPAK ka hapur dosjet e pasurisë dhe mund të shohim perla nga pronat që ka fshehur ish-presidenti.

Për Ilir Beqajn mund të kemi shtim të akuzave. SPAK po heton edhe koncesionet e tjera në shëndetësi përveç sterilizimit.

SPAK po ashtu po heton edhe pasurinë e shumë deputetëve dhe mund të kemi disa emra në sallën e gjyqit.

Për të mos shkuar pastaj te krerë bashkish, drejtorë, inspektorë, Sekretarë, zv/ministra etj.

Pra viti 2025 pritet të sjellë shumë zhvillime dhe të gjithë janë në alert.

Latest articles

Related articles