Prof. Hasan Bello: Britania dhe Franca mbështetën Triumfit e Legalitetit të Ahmet Zogut

Nga Dr. Hasan Bello
Fjala e mbajtur me rastin e 100-vjetorit të
“Triumfit të Legalitetit”

Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Të nderuar të ftuar në këtë ceremoni përkujtimore!

​Në literaturën historiografike dhe studimet e kohëve të fundit ngjarjet e zhvillimet politike që përfshinë shtetit e brishtë shqiptar në vitet 1920-1924 po qartësohen çdo ditë e më shumë. Kjo për shkak të rënies së regjimit komunist dhe daljes në dritë të një numri të konsiderueshëm botimesh, studimesh e librash memorialistikë, të cilët hedhin dritë mbi protagonistët e kohës dhe rolin e tyre në këtë periudhë.
​Fatkeqësisht, në vitet 20-të, në skenën e politikës shqiptare u ngjitën figura, të cilat, ndoshta ashtu si sot, kishin ambicie të pajustifikuar; individë që nuk kishin mbështetjen e popullit; nuk kishin formimin dhe përgatitjen e duhur për të drejtuar institucionet shtetërore; por nga ana tjetër, kërkonin me çdo kusht që të merrnin në dorë fatet e vendit. Kjo u bë shkak që në vitet 1920-1924 të kemi një sërë grushtesh shteti, mungesën e një ekuilibri të theksuar politik dhe ndërrimin e disa qeverive njëra pas tjetrës. Por ajo që konsiderohet më negativja dhe e dënueshme nga çdo shoqëri, e cila mbështetet mbi idealet dhe parimet demokratike është përpjekja për eleminimin e kundërshtarit politik. Kjo, jo nëpërmjet votës dhe zgjedhjeve politike, por nëpërmjet armës dhe atentateve terroriste.
Me këtë kemi parsysh një numër përpjekjesh që u organizuan për eleminimin fizik nga skena e politikës shqiptare të Ahmet Zogut. Në historinë e Shqipërisë, më duhet ta theksoj në formë paranteze, ndoshta nuk ka ndonjë politikan tjetër, që ti jenë organizuar një numër kaq i madh atentatesh. Lind pyetja përse dhe kush kishte interes për eleminimin e tij, brenda dhe jasht shtetit shqiptar? Kjo është një pyetje përgjigjen e së cilës çdo njeri i ndershëm i cili ka marë mundimin të ketë lexuar diçka nga historia e shtetit shqiptar, pak a shumë e di. Megjithatë, viti 1924 konsiderohet si një periudhë kur skena e politikës shqiptare u përfshi nga përdorimi i të gjithë arsenalit të mundshëm, duke nisur që nga gjuha e urrejtjes, demonizimi i kundërshtarit e deri tek përpjekjet për ta eleminuar fizikisht kryeministrin e kohës. Personalisht mendoj se goditjen fatale parlamentarizmi shqiptar e ka marë në shkurt të 1924, kur një vrasës me apo papagesë, me emrin Beqir Valteri i stërvitur nga një tjetër vrasës profesionist si Avni Rustemi tentoi të vriste Ahmet Zogun në shkallët e parlamentit. Prandaj si një mallkim që rrjedh prej atyre ditëve, për shkak se nuk është kërkuar asnjë ndjesë publike apo nuk është realizuar asnjë katarsis politik, institucioni i parlamentit në vend që të jetë tempulli i demokracisë vijon të mbetet arenë e fyerjeve, dhunës verbale dhe fizike. Pavarësisht planeve dhe skenareve jo demokratike për ta nxjerrë nga skena e politës shqiptare nëpërmjet armës, A. Zogu pas atentatit të shkurt të vitit 1924, vendosi të tërhiqej një hap pas derisa të qetësoheshin gjakrat. Ai nuk u largua nga politika. Por si një shtetar i rrafinuar, bashkë me plagët e tij, kishte dëshirë që të mbylleshin edhe ato të shoqërisë. Ndërtimi i një qeverie koalicioni për të qetësuar situatën dhe për të vendosur raporte institucionale me të gjitha grupet politike, që kërkonin të merrnin frenat e shtetit me çdo kusht, krijoi një paqe relative. Mirëpo kjo nuk i interesonte faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët kishin vite që punonin kundër tij, sepse e sinjifikonin atë me shtetin shqiptar apo si një pengesë të pakapërcyeshme drejt rrugës së pushtetit. Për këtë arsye, sipas burimeve arkivore, prefektura e Shkodrës me anën e një informatori që hynte dhe dilte lirisht në konsullatën jugosllave të atyre viteve, kishte informacion se Beogradi po përgatitej të eleminonte fizikisht disa politikanë të lartë. Ai kishte si qëllim destabilitetin politik të shtetit shqiptar dhe futjen e vendit në luftë civile. Nuk kaloi shumë kohë dhe më 6 prill 1924 në pyllin e Mamurrasit u vranë dy amerikanë. Opozita e papërgjegjshme e kohës në vend që ti linte organet hetimore të bënin punën e tyre, nxitoi të përfitonte politikisht, duke akuzuar A. Zogun, i cili nuk kishte asnjë detyrë, si organizator të kësaj ngjarje. Këtë precedent negativ ajo do ta çoi edhe më tej, kur gjatë periudhës së qeverisë së Nolit, gjykatësi i kësaj çështjeje do të manipuloi provat e dosjes me qëllim që të “provonte” akuzat e opozitës së dikurshme ndaj A. Zogut. Disa vite më vonë ky gjykatës do të dënohet për falsifikimin e dosjes. Se kush ishin vrasësit e vërtetë të dy amerikanëve tashmë dihet, ndërsa organizatorët dhe cytësit e kësaj ngjarje si gjithmonë ishin përtej kufinjve të shtetit shqiptar.
Nuk kaloi asnjë muaj nga ngjarja e mësipërme, kur në fund të prillit ndodhi një vrasje tjetër, e cila i shërbeu disa politikanëve nga radhët e opozitës si detonator për të hedhur në erë gjithçka që ishte arritur që nga Kongresi i Lushnjes.
Tre ditë pasi ishte arritur një kompromis për futjen e opozitës në qeveri ndodhi vrasja e Avni Rustemit. Kështu, lehtësisht mund të arrihet në konkluzionin se ekzistonte një palë që nuk i interesonte kompromisi dhe që kërkonte destabilizimin e Shqipërisë. Sipas të gjitha gjasave, më së shumti për këtë ishte i interesuar Beogradi. Në dokumentet e botuara nga arkivat ruse, për rolin e këtij të fundit dhe të grupeve të lidhura me Kominternin aludohet hapur. Sipas raporteve të botuara, Shqipëria përshkruhet si një dhomë ku ishte derdhur benzinë dhe mjaftonte vetëm një shkëndijë për të eksplozuar situatën.
Pas vrasjes së Avni Rustemit opozita e ashpërsoi veprimtarinë e saj. Në disa qytete u organizuan mitingje antiqeveritare ku bëhej thirrje për të dorëzuar pushtetin. Ndërsa në shtypin që kontrollohej nga opozita u botuan shkrime që nxisnin revoltën. Trupi i Avni Rustemit u varros në Vlorë më 13 prill. Në mesin e pjesmarrësve morën pjesë edhe 26 asamblistë, të cilët vendosën të mos ktheheshin në Tiranë. Me ta u bashkuan edhe disa deputetë që deri atëherë kishin mbajtur një qëndrim neutral. Një hap tjetër që e thellonte krizën politike ishte kërkesa e shtruar prej tyre kryesisë së Asamblesë që mbledhjet të zhvilloheshin në Vlorë ose në ndonjë qytet tjetër, duke theksuar se gjendja në Tiranë nuk ishte normale. Kërkesa e tyre mbeti pa përgjigje dhe më 17 maj Asambleja i rifilloi punimet në kryeqytet. Kjo është bërë shkak të aludohet se shumicës së asamblistëve u mungonte fryma e kompromisit. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Madje, nëse ata do të kishin vajtur në Vlorë do të krijonin një precedent të rrezikshëm historik dhe politik, duke bërë që edhe sot kushdo qoftë në opozitë ti imponojë shumicës mbledhjen e saj sipas dëshirës jasht kryeqytetit. Asamblistët e mbledhur në Vlorë akuzuan qeverinë se nuk po kapte vrasësit e Avni Rustemit dhe se kishte lejuar forcat e Ceno bej Kryeziut të kalonin kufirin dhe të vendoseshin në Krumë për të mbështetur qeverinë kundër atyre të Bajram Currit. Ka autorë dhe diplomatë të kohës që këtë e konsiderojnë si akt antikushtetues. Por të jemi realist, kjo erdhi si reagim i veprimeve antikushtetuese të vetë opozitës, e cila kishte qenë ajo e para që kishte thirrur për ndihmë Bajram Currin në Veri dhe Sali Vranishtin në Jug kundër qeverisë. Prandaj nëse ndjekimin parimin shkak pasojë, mirë është që përgjegjësinë gjithkush ta kërkojë së pari te vetja. Qeveria e Shefqet Vërlacit fillimisht bëri përpjekje që të arrinte një marrëveshje me opozitën dhe të shmangte një kryengritje të armatosur. Kryeministri i kërkoi Zogut që të eleminoheshin të gjitha pretendimet e saj. Por Zogu i la të kuptohej kryeministrit se krerët e opozitës kishin përgatitur një kryengritje të armatosur prandaj, nëse qeveria ishte dakord, ai me forcat e tij mund ti shpërndante brenda javës. Ai i kërkoi qeverisë që të përdorte forcën ligjore dhe të normalizonte situatën. Deklaratat e kryeministrit për tërheqjen e forcave të Ceno Kryeziut, largimin e tij nga prefektura e Kosovës dhe shpërndarjen e atyre të Hysen Selmanit dhe Muharrem Bajraktarit, nuk e qetësuan aspak opozitën. Përkundrazi, e nxitën akoma më tepër. Kështu, sapo u tërhoqën forcat e Ceno beut më 6 maj ato të Bajram Currit sulmuan prefekturën e Kosovës. Kjo krijoi bindjen te qeveria e Shefqet Vërlacit se kryengritja e opozitës duhej shtypur me forcë. Por grupi i deputetëve të Korçës, i kryesuar nga Eshref Frashëri, kundërshtoi nga frika e intervencionit të ushtrisë greke në Jug. Nga ana tjetër, disa krerë të opozitës kishin deklaruar se nëse largohej Shefqet Vërlaci nga posti i kryeministrit dhe zëvendësohej nga Iliaz Vrioni që konsiderohej si liberal, ata do të bindeshin për tu kthyer në Tiranë. Për këtë arsye, më 27 maj Shefqet Vërlaci dha dorëheqjen dhe u zëvendësua me I.Vrionin. Mirëpo historia tregoi se ky premtim i opozitës ishte një lëvizje për të fituar kohë. Në fakt opozita, më tepër se qeverisë dhe kryeministrit të radhës i trembej A. Zogut dhe forcave që mund të mblidheshin rreth tij. Sipas Sejfi Vllamasit, të parët që bënë thirrje për kryengritje ishin Ali Këlcyra dhe Qazim Koculi, ndërsa Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, fillimisht, nuk ishin për kryengritje. Por, më vonë edhe ata i përfshiu rryma e një histerie kolektive që u krijua pas varrimit të Avniut. Dëmin më të madh qeveria e I. Vrionit e pësoi më 13 maj kur L. Gurakuqi dhe dy ministra të opozitës u tërhoqën nga koalicioni. Me synim që të ruhej stabiliteti politik i Shqipërisë, ministri britanik H. Eyres zhvilloi një takim me Gurakuqin në Shkodër nga i cili krijoi bindjen se ai “ishte duke punuar për rrëzimin e kësaj qeverie, por edhe të Shqipërisë si një shtet i pavarur”. Më 16 maj garnizoni i Shkodrës i drejtuar nga Rexhep Shala u ngrit kundër qeverisë. Ai u pasua pas dhjetë ditësh nga ai i Përmetit që komandohej nga Kasem Qafëzezi. Në verilindje të vendit po vepronte Bajram Curri me disa mbështetës të tij. Në Vlorë u formua një batalion i organizatës “Bashkimi”. Këtu, gjithashtu u krijua një komision për drejtimin e kryengritjes me në krye Fan Nolin. Drejtues i operacioneve ushtarake u caktuan Kasem Qafëzezi për Jugun, Rexhep Shala për Veriun dhe Bajram Curri për prefekturën e Dibrës dhe Kosovës. Komisioni nuk hezitoi ti jepte vetes edhe atributet e një qeverie.
Kabineti i I. Vrionit bëri përpjekje për të hyrë në bisedime. Por të gjitha tentativat dështuan. Edhe ministri britanik refuzoi të bëhej ndërmjetës sepse asnjë përfaqësues i opozitës nuk pranonte të bisedonte. Në këto momente, Zogu i cili e kishte kuptuar që kryengritja e opozitës nuk do të ndalej, i kërkoi kryeministrit që të përdorej me vendosmëri dhe pahezitim forca. Por ky propozim nuk u pranua. Sipas T. Selenicës, qeveria kishte në kryeqytet një fuqi që mund ta kthente normalitetin në vend, por nguroi ta përdorte. Kjo u lexua si mungesë guximi dhe në vend që të shuante valën e zemërimit, i dha hov zjarrit të ndezur nga drejtuesit e opozitës.
Pasi u pa se një pjesë e ushtrisë po merrte një qëndrim antiqeveritar, qeveria u përpoq të mobilizonte rezervistët. Kjo u pengua nga anëtarët e Këshillit të Lartë që kishin mbetur në Tiranë, të cilët nuk pranuan të nënshkruanin dekretin për këtë mobilizim. Atëherë, qeveria rekrutoi njerëz me pagesë nga prefektura e Elbasanit, Durrësit dhe Dibrës, duke arritur të mobilizonte deri në 4 mijë vetë. Ajo emëroi si komandant të operacionit A. Zogun, por tashmë kjo ishte tepër vonë.
Përplasja mes forcave qeveritare dhe kryengritëse pati një numër relativisht të vogël viktimash. Kjo për arsye se kohëzgjatja e saj ishte tepër e vogël në raport me numrin fuqive të të dyja palëve. Në radhë të parë kjo erdhi për shkak të dëshirës që qeveria dhe A. Zogu si komandant operacioni kishin për të evituar me çdo kusht shmangjen e gjakderdhjes mes shqiptarëve.


Edhe pse kanë kaluar njëqind vjet nga qershori i 1924 ende dhe sot e kësaj dite nuk ka një konsensus nga historianët dhe studiuesit sesi duhen përkufizuar këto ngjarje. Kjo ka ardhur për shkak të ideologjizimit dhe indoktrinimit komunist, sepse në vetvete ky problem është shumë i qartë. Në shkencën politike, një revolucion është një transformim i shpejtë, themelor i strukturave shtetërore, klasore, etnike ose fetare të një shoqërie. Nisur nga këto premisa është shumë e vështirë që ngjarjet e vitit 1924 të konsiderohet si një revolucion.
Atëherë lind pyetja, kush dhe pse i quajti revolucion ngjarjet e vitit 1924?
Sipas burimeve dokumentare, memorialistikës dhe shtypit të viteve 20-30-të koncepti revolucion për ngjarjet e vitit 1924 është përdorur fillimisht jo nga të gjithë protagonistët e kohës. Por vetëm nga një rreth tepër i ngushtë i nolistëve, të cilët kishin filluar të shfaqnin haptazi tendenca majtiste dhe anarshiste, duke marë si model jehonën dhe ndikimin që kishte pasur tek ata dhe kudo në botë Revolucioni Bolshevik i Tetorit 1917 në Bashkimin Sovjetik. Për këtë arsye, nga tetë anëtarë që përbëhej kabineti i Nolit, vetëm dy prej tyre, ai dhe ministri i Arsimit, Stavro Vinjau e kanë përdorur termin revolucion. Pjesa tjetër e ministrave, të cilët për hirë të së vërtetës kishin përgatitur terrenin dhe realizuan de facto këto ngjarje, as nuk u nisën për të bërë dhe as nuk donin zhvillimin e një revolucioni në shtetin shqiptar. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ata vinin nga shtresa të larta të shoqërisë shqiptare në kuptimin pasuror ose nga radhët e ushtrisë. Madje, përpjekja e Nolit dhe e anëtarëve të Shoqërisë “Bashkimi” për reforma radikale krijoi një situatë konfrontimi në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nolit, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Sulejman Delvinën, ministrin e Luftës, Kasem Qafëzezin dhe ministrin e Brendshëm, Rexhep Shalën do të marin masa për të organizuar një tjetër grusht shteti për ta rrëzuar atë si kryeministër. Por kjo nuk u realizua për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe precipitimit të ngjarjeve.
Pra, si mund të kemi një revolucion kur gjashtë nga tetë anëtarët e kabinetit qeveritar ishin kundër? Megjithatë, për arsye pragmatike e propagandistike në diskursin publik dhe publicistik edhe pas largimit nga Shqipëria, Fan Noli, ithtarët e tij dhe ish-anëtarët e organizatës “Bashkimi”, të cilët kaluan hapur në mbështetje të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe Kominternit i konsideruan ngjarjet e qershorit 1924 si revolucion. Në të vërtetë, parë nga këndvështrimi i zhvillimeve politike që ndodhën në Shqipëri dhe Ballkan pas vitit 1944, ai ishte një eksperimet social ose më saktë, një provë gjenerale për atë që ndodhi njëzet vite më vonë.
Për shkak se në gjuhën e përditshme Noli dhe ithtarët e tij me tendenca komuniste përdornin termin revolucion kur ishin në qeveri, disa diplomatë të huaj në relacionet e tyre për ministritë e jashtme kanë përdorur të njëjtin term. Duke u nisur nga ky precedent ndonjë historian shqiptar e përdor këtë si argument për ti mbushur mendjen studiuesve se me të vërtetë ai ishte revolucion. Në fakt është pjesë e protokollit zyrtar që një diplomat ti referohet një ngjarje me termat që përdor autoriteti (shteti, qeveria, MPJ) i vendit përkatës. Më pas ai jep vlerësime nëse pretendimet e ngritura nga to qëndrojnë realisht ose jo. Ky konstatim vihet re në raportet e diplomatëve britanikë dhe amerikanë që kanë shërbyer gjatë vitit 1924 në Shqipëri.
Për të ruajtur koherencën ideologjike koncepti revolucion për ngjarjet e 1924 u përdor edhe nga historiografia komuniste pas 1944 dhe në diskursin publik nga E.Hoxha apo drejtues të tjerë. Kjo vijon edhe sot kur janë botuar dhjetra libra studimorë, memorialistikë, dokumentarë etj. Por në të vërtetë a ishte revolucion rrëzimi i një qeverie legjitime, duke përdorur dy regjimente të ushtrisë dhe një pjesë të popullsisë së armatosur që ishte nxitur nga opozita? Pas leximeve dhe refleksioneve të shumta, diskutimeve me kolegë dhe persona të ndryshëm, personalisht mendoj që këto ngjarje ishin një grusht klasik shteti i ndërthurur me kryengritje të armatosur nga një pjesë e popullsisë. Në çdo manual të grushteve të shtetit, në momentin që ushtria ngrihet kundër pushtetit ekzekutiv për ta rrëzuar me dhunë, nuk ka më hapësirë për ta interpretuar atë si revolucion, aq më pak revolucion demokratik apo me çdo epitet tjetër. Në fund të fundit këtë e ka pranuar dhe sqaruar edhe vetë Fan Noli kur ngjarjet e 1924 i ka quajtur “coup d`etat”.


​Qeverisja gjashtë mujore e F. Nolit dështoi për shumë arsye objektive për të cilat ishte e destinuar të dështonte çdo qeveri dhe parti politike atëherë dhe sot. Por ajo ka lënë një përvojë, e cila pavarësisht rezultatit mund t`i shërbejë atyre që meren me politikë, për të evituar përsëritjen e gabimeve. Kështu, aleancat në politikën e jashtme me shtete që nuk konsiderohen si mike të kombit shqiptar; dënimi i kundërshtarëve politikë dhe konfiskimi i pronës së tyre; grabitja e pronës private nën etiketën e reformës agrare dhe vendime të kësaj natyre ishin disa nga përvojat më negative të modelit politik të qeverisë së Nolit.
​Por cilat ishin arsyet që faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar mbështeti rikthimin e A. Zogut ose atij që në historinë e shtetit shqiptar konsiderohet si vendosja e legalitetit? Pse shtetet më demokratike të botës e konsideronin A. Zogun si të vetmin personalitet politik i cili mund të garantonte stabilitetin e shtetit shqiptar?
​Përsa i përket faktorit të brendshëm që para ngjarjeve të qershorit 1924 populli shqiptar nëpërmjet zgjedhjeve më të ndershme që ishin realizuar ndonjëherë, në vitin 1923 kishte mbështetur partinë e A. Zogut. Në fakt kjo kishte qenë edhe arsyeja që e kishte nxitur opozitën për të ardhur në pushtet nëpërmjet armëve. Ndërsa faktori i jashtëm, me të cilin në radhë të parë kemi parasysh Britaninë e Madhe dhe Francën, të cilat nuk kishte pak vite që kishin arritur të mbyllnin një pjesë të problemeve që shtetësonin botën në Konferencën e Paqes në Paris, kërkonin ruajtjen e statukuosë. Në skenën e politikës botërore ishte shfaqur një fuqi e re si BS me të cilin qeveria e Nolit vendosi marrëdhënie diplomatike. Në kushtet kur bolshevikët ishin në një izolim diplmatik, njohja e tyre ishte një akt sfidues për fuqitë europiane. Aq më tepër që në planet e Kominternit dhe të qeverisë sovjetike, Shqipëria konsiderohej si një pikë nevralgjike për përhapjen e ideve bolshevike në të gjith Ballkanin. Kjo i trembi shtetet e mësipërme, të cilat nuk mund të lejonin që shteti shqiptar të kthehej në një vatër infeksioni për përhapjen e komunizmit. Prandaj si të vetmen zgjidhje ato panë rikthimin e A. Zogut. Nuk ishte dëshira e Jugosllavisë, Pashiqit apo e askujt tjetër, me të cilat historiografia komuniste është përpjekur të manipuloi opinionin publik. Por interesat e Britanisë së Madhe, Francës dhe shteteve europiane, të cilat lejuan vendosjen e legjitimitetit.


​Në dhjetor të 1924, fiks 100 vite më parë në kushtet kur qeveria e Nolit nuk kishte asnjë mbështetje nga faktori ndërkombëtar, asnjë mbështetje nga brenda dhe duke mos arritur që ta legjitimonte nëpërmjet zgjedhjeve ardhjen e saj të paligjshme në pushtet, A. Zogu u rikthye në kryeqytet për të rinisur projektin e tij politik.
​Ky projekt ishte aspirata e të gjithë personaliteteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ndërtimi i një shteti modern, zhvillimi i arsimit, institucioneve të drejtësisë, kulturës dhe afirmimi ndërkombëtar i kombit shqiptar në mesin e kombeve të qytetëruara.

Latest articles

Related articles