Dritan Agolli, Drejtori Fondit Shqiptar të zhvillimit është paraqitur këtë të martë në SPAK ku është marrë në pyetje për më shumë se dy orë.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se Agolli është pyetur në lidhje me një hetim të nisur kryesisht 2 vjet më parë nga SPAK në lidhje me një tender me vlerë 500 mijë USD të FSHZH për një menu të projektit të “100 fshatrave”.
Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit, por më pas procedura u anulua.
TENDERI
Tenderi është lëvruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe, si thuajse në shumicën e fituesve të garave tenderuese në vend, ofertuesi me çmimin më të lartë, bëhet edhe fitues. Por në rastin konkret, skandali merr përmasa të tjera për shkak të personazheve që dolën pas publikimit të të dhënave të kësaj “gare”. Fitues i këtij tenderi u shpall një emër i njohur i kuzhinës, por qytetarët që u njohën me shumën marramendëse të objektit “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menynë e 100 Fshatrave” dhe emrit fitues, reaguan duke treguar se fituesi ishte shef kuzhine në restorantin e djalit të drejtorit të këtij Fondi. Madje ata treguan edhe vendin ku gjendej ky restorant dhe emrin e objektit që ishte në pronësinë e shtetasit Flladi Agolli. Por shifra e “çmendur” e akorduar për këtë projekt ka dalë nga FSHZH-ja, që drejtohet prej 3 vitesh nga Dritan Agolli, i cili në fakt lojën me tenderët nuk e ka për herë të parë.
SKANDALI I “MENYSË”
Në tenderin për shërbime konsulence, me objekt “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menynë e 100 Fshatrave”, bëhet me dije se një meny e tillë do të kushtojë plot 500 milionë lekë, bashkë me TVSH-në. Mësohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zgjedhur ofertën më të lartë, të dhënë nga një bashkim shoqërish, kryesuar nga “Mascarpone sh.p.k.”, e cila ka administrator dhe aksioner kryesor shefin e kuzhinës, Alfio Rrotani. Sipas të dhënave, bëhet me dije se ndërkaq, një bashkim tjetër shoqërish, në momentin e çeljes së garës pati dhënë një ofertë rreth 15 mijë dollarë më të lirë për “menynë” e kërkuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por skandali thellohet edhe më shumë pasi mësohet se Alfio Rrotani, administrator dhe ortak kryesor i kompanisë që është nxjerrë fituese e tenderit, ka punuar shef kuzhine për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, objekt që gjendet në zonën e Hamallajve, në Gjirin e Lalzit, në pronësi të Flladi Agollit, djalit të drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Të dhënat për skandalin në fakt u bënë publike që ditën e premte, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë reagim nga asnjë institucion shtetëror, aq më pak nga ndonjë organ hetimor.
SKANDALET E FSHZH-SË
Rasti i “menysë” nuk është i vetmi që i atribuohet kësaj drejtorie. Në fakt, në momentin kur u bënë publike pagat në muajin dhjetor, që u konsiderua si “skandali i daljes së të dhënave sensitive”, një prej kryeskandaleve ishin edhe pagat me të cilat paguheshin punonjësit e këtij fondi. Që nga rojet e shoferët e deri te drejtues sektorësh apo edhe vetë Agolli, pagat ishin marramendëse, që varionin nga 1500 dollarë e deri në 7 mijë dollarë, që rezultoi të ishte paga e vetë drejtuesit të FSHZH-së. Po pavarësisht këtij fakti tronditës, sërish nuk pati asnjë reagim nga ana e institucioneve hetimore, teksa SPAK – prokuroria ku është varur shpresa e qytetarëve për drejtësinë e munguar – deklaroi publikisht se nuk ka kompetencë për hetimin e këtij rasti. Por një tjetër tender me hije skandali u zhvillua në vitin 2020, teksa për rehabilitimin e 3 lagjeve në qytetin e Kukësit u hodhën plot 3 milionë euro. Kompanitë që u skualifikuan reaguan, duke treguar se fituese u shpall kompania e vëllait të kryebashkiakut.