Ekspozita “Viti Zero” e piktorit Gaz Leka | Prof. Jupi: Pa reflektim, gabimet përsëriten!

nga Taulanda Jupi

Hijet e të shkuarës janë ende aty, nëse nuk dimë t’i ndalim, historia do të përsëritet me maska të tjera, poshtë të cilave fshihen të njëjtat mendësi të errëta të cilat njohin vetëm një gjuhë : dhunën dhe kaosin.

Përmes ekspozitës “Viti Zero,” u përballëm bashkë me studentët e mi me një pjesë të errët të historisë sonë postkomuniste, me tragjeditë e viteve të mbrampsht 97’, me dështimet tona si shoqëri ku e arsyeshmja, logjika dhe fjala u dorëzuan përball dhunës, çmendurisë dhe rrënimit.

Mesazhi i kësaj përvoje artistike për ta është i qartë: historia duhet të shërbejë si mësim dhe paralajmërim. Nëse nuk reflektojmë mbi gabimet e së kaluarës, rrezikojmë që ato të përsëriten. Kjo ekspozitë na fton të marrim përgjegjësi për të ardhmen dhe të jemi të vëmendshëm ndaj rreziqeve që ende na kërcënojnë si shoqëri.
Autorët e atyre ngjarjeve, ata që kontribuan në rrënimin e shtetit dhe destabilizimin e shoqërisë, janë ende mes nesh, të gatshëm të “kafshojnë” të ardhmen tonë.

Ekspozita “Viti Zero” e artistit dhe mjeshtrit të madh Gazment Leka hapur në Galerinë FAB nuk është thjesht një ekspozitë arti, por një thirrje për reflektim të thellë mbi historinë e dhimbshme dhe tragjeditë që kanë përshkuar Shqipërinë, në veçanti në vitin e tmerrshëm 1997. Ky vit, i njohur për kolapsin ekonomik dhe politik, ka mbetur një pikë kthese që shpesh ndihet si një plagë e pashëruar në shoqërinë shqiptare. Përmes veprave të tij, Leka na çon në një udhëtim tragjik, ku kujtesa e kaosit dhe rrënimit është mishëruar në formë simbolike dhe vizuale.

Me fuqinë e artit të tij, profesor Leka na fton të rikthehemi në atë kohë, jo thjesht për të ripërjetuar dhimbjen, por për të reflektuar thellësisht mbi atë që ndodhi.

Krijimet e tij, përmes tablove në vaj dhe vizatimeve të përmbysura, pasqyrojnë një botë të përmbysur, një realitet ku logjika u zëvendësua nga çmenduria, dhe ku shoqëria shqiptare u zhyt në kaos. Numri simbolik 666 që shfaqet në çdo tablo tregon një forcë të errët që tejkalon njeriun, duke e lënë atë të pafuqishëm përballë katastrofës.

Mos harroni, hijet e të shkuarës janë ende aty, nëse nuk dimë t’i ndalim, historia do të përsëritet me maska të tjera, poshtë të cilave fshihen të njëjtat mendësi të errëta të cilat njohin vetëm një gjuhë : dhunën dhe kaosin.

Latest articles

Related articles