Në vend të një urimi për Sali Berishën – REDAKSIONALE

Sali Berisha ka sot ditën e 80-të të lindjes, duke dominuar me peshën e tij, përtej viteve, politikën shqiptare.

I jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm, ai mbetet njeriu që vendosi në re themelet e historisë së shtetit modern postkomunist shqiptar.

Ai na gënjeu për rikthimin e pronave, për dëmshpërblimin e të përndjekurit politikë, për festat e ditëlindjes pranë oxhakut të Enverit dhe Nexhmije Hoxhës, për shëtitjet në varkat e regjimit, për matjen e pulseve të zemrës së nomeklaturës, sipas porosive të Vito Piros.

Ai iu bashkua themelimit të Partisë Demokratike në 1990 duke nxjerrë jashtë saj të gjithë themeluesit e saj dhe çmontuar themelet e vlerave antikomuniste për ta mbushur me bashkëpunëtorë sigurimit dhe fëmijët e tyre.

Ai lejoi ngritjen e Piramidave, vodhi zgjedhjet e 1996, nxiti frymën antiamerikane në vend dhe e pësoi në revoltën e 1997, me 3 mijë viktima në ndërgjegje. Ai humbi çdo palë zgjedhje lokale e parlamentare derisa amerikanët e amnistuan në 2005 duke e lejuar të vinte në pushtet. Ai premtoi NATO-n dhe bëri Gërdecin me 26 të vrarë. Amerikanët e antarsuan si premtim për shqiptarët dhe nuk e rrëzuan nga pushteti për të ruajtur stabilokracinë.

Ai bëri marrëveshje pushteti feudal me 4 ministri me Ilir Metën që dikur e kishte “arrestuar” dhe u kap me bllok në dorë “gimi më tha …700”. Ai pushkatoi 4 viktima në bulevard me duart e të tjerëve në 21 janar të 2011 duke sajuar grupe puçiste me çadra pistoletë. Ai u mund me 1 milion vota kundër dhe përcaktoi deri në 2017 vijën politike të PD. Ai nxiti djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve me miratimin e Lulzim Bashës, kryetar de-jure. Për gjithë këto merita mori damkën minues demokracie non-grata në SHBA dhe bashkëpuntor i krimit të organizuar nga Britania e Madhe.

Ai dogji e theu selinë e Partisë Demokratike dhe sot desh dogji edhe selinë rivale të Partisë Socialiste, një akt fasho-komunist që askush nuk e ka bërë deri më sot në perëndim dhe në lindje.

Ai sot është si faraoni që pret të mbyllet në Piramidë bashkë me bashkëpunëtorët e nderuar e të shquar deri në përjetësi e mumifikim.

Latest articles

Related articles